Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Federeri përshëndetet nga legjendat e sportit

Tenisti i madh zviceran, Roger Federer, njoftoi për pensionimin e tij nga sporti.

Ai të enjten ka thënë se turneu “Laver Cup”, javën tjetër, do të jetë gara e fundit e tij.

“Federer është kampion i kampionëve. Ai ka qenë më i kompletuari nga gjenerata e tij dhe mori zemrat e tifozëve të botës me shpejtësi në arena. Ai ka karrierë historike dhe kujtime që do të jetojnë gjatë me ne”, ka shkruar ndër të tjera ish-tenistja numër një në botë, Billie Jean King, në “Twitter”.

“Faleminderit për të gjitha kujtimet shoku im. Ka qenë nder të ndaj eksperienca dhe kohë në arenat e sportit tonë. Mos u bëj i huaj”, ka shkruar Andy Roddick, një tjetër emër i madh i tenisit.

Edhe “Swiss Tennis” ka shkruar për pensionimin e Federerit. “Faleminderit Roger Federer. Për gjithçka që ke bërë për Zvicrën dhe tenisin ndërkombëtar. Për emocionet e panumërta që i kemi pasur me ty. Për çdo fëmijë që e ke inspiruar të luajë tenis. Çdo të mirë!”, ka shkruar faqja zvicerane e tenisit.

Ndërkohë, fituesi i turneut Grand-Slam të sivjetmë “US Open”, si dhe tenisti i talentuar, Carlos Acaraz, ka shkruar “Roger” në “Twitter” dhe ia ka bashkangjitur një zemër të thyer.

Njësoj ka vepruar edhe një prej tenisteve më të mira në botë, Garbine Muguruza.

Përveç tenistëve dhe fytyrave të njohura publike, si dhe sportistëve të sporteve të tjera, kanë shkruar edhe faqe të ndryshme sportive.

“Do t’i mungoni kësaj loje”, ka shkruar mediumi i fuqishëm “ESPN”, duke postuar fotografinë e Roger Federerit bashkë me Serena Williamsin.

Të gjitha faqet e turneve Grand-Slam, në “Twitter” kanë dhënë nga një urim përshëndetës për legjendën e sportit të tenisit, 41-vjeçarin Roger Federer.

Artikuj të ngjashëm