Sport

Federata e Hendbollit e mohon se ka hequr dorë nga garat, kërkon që nesër të fillojnë stërvitjet

Federata e Hendbollit të Kosovës e ka mohuar se ka hequr dorë nga garat. Duke komentuar deklaratën e ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, kjo federatë thotë se me kohë e ka dorëzuar planin për kthim të aktiviteteve, duke u bazuar në lehtësimin e masave nga faza e tretë.

“Federata e Hendbollit të Kosovës ka pritur me befasi deklaratën e Ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia për mundësinë që garat e hendbollit mos të vazhdojnë. FHK-ja ka dorëzuar me kohë planin për kthim të aktiviteteve, duke u bazuar në lehtësimin e masave nga faza e tretë. Skuadrat tona presin që nesër të kthehen në stërvitje kurse më 13 qershor vazhdon edicioni i ndërprerë në mars. Plani ynë i detajuar është dorëzuar në MKRS dhe KOK, kurse plani parasheh masat adekuate për ruajtje të shëndetit për pjesëmarrësit”, thuhet në njoftim.

FHK ka kërkuar që menjëherë të zyrtarizohet vendimi për kthim të aktiviteteve edhe në sportet tjera, pasi sipas tyre, në Kosovë nuk është vetëm një sport.
ata thonë se presin reflektim të menjëhershëm dhe adresim të çështjes nga MKRS dhe KOK-u.

“Është absurde të hapen qendrat tregtare me mijëra vetë e mos të lejohen aktivitetet sportive. Presim reflektim të menjëhershëm dhe adresim të çështjes nga MKRS dhe KOK. Klubet nesër planifikojnë kthimin në stërvitje në palestra, për të kurorëzuar një edicion të vështirë. Kthimi në palestra është jetik për sportin tonë dhe gjithë komunitetin sportiv në vend. Mbesim të përkushtuar që përmes garës të shpallim më të mirët dhe të përcaktojmë skuadrat që do të na prezantojnë në Evropë. Afati i fundit për këtë është fillimi i korrikut. Skuadrat kanë mbajtur për tre muaj lojtarët e huaj në pritje të vazhdimit të aktivitetit, kurse shpenzimet e tyre janë shumë të mëdha”, thuhet në njoftim.

Vitia sot në konferencë ka thënë se njëherë do të vazhdohen stërvitjet për klubet e supërligës në futbollin e Kosovës, duke shtuar se klubet tjera kanë treguar mirëkuptim.

“Njëherë do të vazhdohen stërvitjet për klubet e super ligës në futbollin e Kosovës. Kurse një pjesë e madhe e aktiviteteve sportive kanë treguar mirëkuptim qysh nga fillimi si federata e basketbollit, nëse nuk gaboj e hendbollit dhe sportet tjera të cilat kanë hequr dorë që në kohë pandemie të mbahen stërvitjet dhe gara”, ka thënë ai.

Edhe seleksionuesi i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, ka kërkuar që nga 1 qershori të rifillojnë stërvitjet për të gjitha sportet.