Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka pritur sot në një drek pune krerët e Federatës së Futbollit të Gjermanisë, nënkryetarin e parë Rainer Koch dhe nënkryetarin tjetër Rainer Milkoriet, transmeton Koha.net.
Me këtë rast, Gashi falënderoi për vizitën që përfaqësuesit e DFB-së ia bënë Kosovës dhe për kontributin që kanë dhënë për Kosovën në fushën e sportit. Gjatë takimit ata diskutuan lidhur me bashkëpunimin që do vazhdojnë ta kenë në të ardhmen.
Gjithashtu, ministri shprehu keqardhje për anulimin e ndeshjes testuese e cila është paraparë të zhvillohet dje dhe tregoi se ndeshja është anuluar në nderim të vdekjes së veprimtarit të shquar, Adem Demaçi.
“Jam i gatshëm që të vazhdojmë bashkëpunimin tonë në fushën e sportit. Prioriteti ynë si ministri është t’i mbështesim federatat sportive dhe të jemi gjithmonë afër sportistëve tanë të cilët po na bëjnë krenarë me sukseset e tyre anë e kënd botës”, ka thënë Gashi.
“Me Kosovën kam disa momente të mira. Kur jam këtu nuk kam si të mos e kujtoj ish-presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës – Vokrri, i cili ishte një njeri i madh dhe unë pata rastin ta takoj në kongresin e FIFA-s më 13 maj të 2016-ës, ku në atë kongres unë për herë të parë po e përfaqësoja DFB-në dhe më kujtohet mirë fjalimi i ish-presidentit Vokrri por edhe kundërshtimi i kryetarit serb. Unë këtu jam të përfaqësoj jo vetëm veten time por edhe DFB-në dhe ju siguroj se do të vazhdojmë bashkëpunimin në të gjitha fushat sa i përket zhvillimit të një ndeshjeje”, ka thënë Koch.
-
Federata e futbollit gjerman premton vazhdimin e bashkëpunimit me FFK-në
-
Gashi: Do të angazhohemi për fuqizimin e futbollit kosovar
-
Kreu i FFK-së takohet me ministrin Gashani, merr premtim për stadiumet
-
Vokrri: Kam përkrahje të konsiderueshme të klubeve, nesër deponoj nënshkrimet
-
MKRS-ja e interesuar të zhvillojë infrastrukturën sportive