Sport

Federata çeke gjobitet nga UEFA për shpalosje të flamurit të Serbisë në ndeshjen me Kosovën

Prishtinë, 22 nëntor – Përfaqësuesja U21 e Kosovës në futboll kishte humbur 3:0 nga Çekia U21, në ndeshjen kualifikuese për “Euro 2023” të zhvilluar më 12 tetor në Çeske Budejovice. Federata e Futbollit e Kosovës kishte lëshuar një njoftim të shkurtër në atë ndeshje dhe nuk kishte përmendur ndonjë parregullsi.

Por të tilla ka pasur. Të paktën një vendim i UEFA-s e dëshmon këtë. Ndër të tjera, në tribuna të stadiumit është shfaqur një flamur që nuk e kishte vendin. Ai i Serbisë.

Është Trupi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s që në një prej mbledhjeve të fundit e ka dënuar Federatën e Futbollit të Çekisë lidhur me atë ndeshje të 12 tetorit.

“Akuzat: Mesazhe provokuese, politike. Vendimi: Të dënojë Federatën e Futbollit të Çekisë me 5000 euro për transmetimin e një mesazhi provokues të natyrës politike”, thuhet në vendimin e këtij organi të Konfederatës Evropiane të Futbollit.

KOHA ka pyetur menaxherin e Kosovës U21, Zgjim Sojeva, për ngjarjet në Çeske Budejovice. Ai ka treguar se para ndeshjes ishte shpalosur një flamur i Serbisë nga tifozët në tribuna, që ishte larguar me kërkesë të delegacionit kosovar.

“Ndonjë pankartë nuk ka pasur. Krejt çka kishte në fillimin e ndeshjes ishte një flamur i Serbisë. E kemi njoftuar sigurimin zyrtar të tyre dhe ai ka shkuar ta largojë me kohë. Kjo ka qenë para ndeshjes”, ka treguar Sojeva.

Një provokim ndaj ekipit të Kosovës ka ndodhur në fund të takimit.

“Pasi ka përfunduar ndeshja, pasi kanë hyrë të gjithë në zhveshtore, unë me disa futbollistë kemi mbetur për të pastruar bankinën tonë. Një grup tifozësh, të cilët kanë qenë të pranishëm, kanë filluar të brohorasin ‘Kosova është Serbi’. Nuk i ka dëgjuar askush pos meje dhe dy lojtarëve që ishin me mua. Pas këtij veprimi kam shkuar dhe e kam njoftuar delegatin e ndeshjes, duke i treguar se i kam dëgjuar tifozët çekë duke brohoritur ‘Kosova është Serbi’. I thashë ta shkruajë në raportin e tij, pasi nuk është e hijshme. Bëhej fjalë për një grup të vogël tifozësh. Me të kuptuar këtë, zyrtarë të federatës çeke kanë ardhur dhe na kanë kërkuar falje. Janë ndier keq. Duhet të cek se Federata e Çekisë na ka bërë pritje jashtëzakonisht të mirë. Por besoj se UEFA ka marrë masa pas thirrjeve të tifozëve. Gjatë ndeshjes nuk ka pasur asnjë pankartë, sharje apo ofendime në drejtim të lojtarëve tanë”, ka shtuar Sojeva.

Nuk është hera e parë që federata nacionale gjobiten nga UEFA për veprim të tifozëve në ndeshje me Kosovën. Në Sllovaki, Poloni, Rusi, Greqi e Çeki ka grupe tifozësh që kanë raporte të mira me grupe tifozësh në Serbi dhe që herë pas here shfaqin pano dhe bëjnë thirrje për Kosovën pjesë të Serbisë. Por UEFA në disa raste ka ndarë gjoba për gjëra të tilla.