Federata e Futbollit të Belgjikës do të kërkojë miratimin e UEFA-s para se të anulojë kampionatin elitar të futbollit, për të shmangur përjashtimin nga garat evropiane të edicionit të ardhshëm.
Të enjten ishte bërë e ditur se bordi i drejtorëve të Pro Leagues ka rekomanduar që edicioni të përfundojë para kohës, vendim që do të nënkuptonte se Club Brugge do të shpallej kampion.
Por propozimi duhet të miratohet në Asamblenë Gjenerale, që do të mbahet më 15 prill, ka njoftur Sky Sports të shtunën.
Menjëherë të enjten UEFA ka kërkuar nga federatat nacionale që mos të anulojnë kampionatet, ndërsa ka kërcënuar me largim nga garat evropiane të klubeve që vijnë nga vendet që përfundojnë para kohës kampionatin.
Futbolli në Evropë aktualisht është i pezulluar për shkak të pandemisë, ndërsa synim i UEFA-s është që kampionatet nacionale të përfundohen deri në fund të korrikut. Të premten edhe presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin ka kërcënuar me përjashtim nga garat evropiane të klubeve, nëse anulohen njëanshëm kampionatet.
Federata e Futbollit të Belgjikës i është përgjigjur UEFA-s duke thënë se nuk do të detyrohet të kompletojë stinorin, pas diskutimeve të së premtes.
Megjithatë pas diskutimeve tjera konstruktive në mes të presidentit të UEFA-s, Çeferin dhe kryetarit të Federatës belge, Mehdi Bayat, dy federatat kanë arritur te një vendim i përbashkët.
Rekomandimi i bordit të Pro Leagues do të prezantohet te Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, para se të miratohet në Asamblenë Gjenerale, me qëllim të ruajtjes së vendeve të Belgjikës në garat evropiane për edicionin 2020-21.
Në një komunikatë të Federatës belge thuhet: “Të enjten Bordi i Drejtorëve të Pro Leagues në mënyrë unanime ka vendosur se nuk është e dëshirueshme të vazhdohet kampionati pas 30 qershorit. Më pas kjo është formuluar si rekomandim unanim dhe është adresuar te Asambleja Gjenerale, për të mos përfunduar kampionatin 2019\2020. Në këtë kontekst është diskutuar në mes të presidentit të UEFA-s dhe presidentit të federatës sonë. Diskutimi ishte konstruktiv dhe është shprehur synimi për një zgjidhje të përbashkët. Si pjesë e kësaj, rekomandimi për të ndalë garën, si është formuluar nga Bordi i Drejtorëve, do të prezantohet në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Ky propozim do të paraqitet për miratim në Asamblenë e Përgjithshme të Pro Leagues”.
Sipas Federatës belge, synimi është ruajtja e vendeve evropiane për klube, për edicionin e ardhshëm. Federata belge ka konfirmuar përkrahjen ndaj UEFA-s për pasur qasje të unifikuar në kohën e koronavirusit.