“Fokusi është te lojtarët e më shumë pozitave”, ka thënë drejtori sportiv i St. Paulit, Andreas Bornemann.
“Kiezkicker” ka njoftuar të enjten se St. Pauli është duke e kërkuar nga St. Galleni një futbollist defensiv, e sipas mediumit zviceran “Blick” dhe atij gjerman “Hamburger Morgenpost”, ai futbollist është Betim Fazliji.
Këto mediume të premten kanë shkruar se 23-vjeçari e ka informuar St. Gallenin dhe trajnerin Peter Zeidler se dëshiron t’i bashkohet klubit gjerman, ndërsa mbetet të finalizohen detajet e fundit.
Fazliji ka kontratë me St. Gallenin deri në vitin 2023.
Futbollisti që përfaqëson Kosovën mund të luajë si qendërmbrojtës, mesfushor defensiv dhe mbrojtës i krahut të djathtë.
Me skuadrën e elitës së futbollit të Zvicrës, Fazliji ka luajtur në 97 ndeshje. Ka shënuar pesë gola.
Ndërkohë, pjesë e skuadrës së Bundesligës 2, St. Paulit, është edhe futbollisti tjetër i Kosovës, Leart Paqarada.