Skuadra e Ligue 1, Nice ka angazhuar Lucien Favren si trajner të hënën, duke e zëvendësuar Christophe Galtierin, i cili pritet ta marrë drejtimin e Paris Saint-Germainit. Në njoftimin e Nices, thuhet se Favre është rikthyer për ta vazhduar punën që e la në gjysmë.
Për Favren, kjo është hera e dytë në krye të Nices, pasi ishte trajner i ekipit prej vitit 2016 deri në vitin 2018. Pas largimit nga Nice, Favre mori drejtimin e Borussia Dortmundit përpara se të shkarkohet pas 18 muajve. Favre në stafin e tij te Nice do ta ketë edhe një shqiptar. Arjan Peço do të jetë ndihmës i Favres tek ekipi francez. Peço ka qenë lojtar i Favres kur ishte në krye të ekipit nga Zvicra, Yverdon. Si futbollit, Peço ka luajtur në Shqipëri, te Dinamo e Partizani.
Ndërsa, si ndihmës ka punuar te grupmoishat e reja te Baselit. Sezonin e fundit, Nice përfundoi në pozitën e pestë në Francë dhe edicionin e ri, do të luajë në raundet kualifikuese të Ligës së Konferencës.