Pasi edicioni 2022/23 ka përfunduar të shtunën me finalen e Ligës së Kampionëve ndërmjet Cityt dhe Interit, kanë nisur spekulimet se kush mund ta fitojë “Topin e Artë” dhe kush është favorit.
City fitoi të shtunën përballë Interit në finalen e zhvilluar në Stamboll.
“Topin e Artë” në vitin e kaluar e fitoi francezi Karim Benzema, që ishte dukshëm më larg me pikë sesa Sadio Mane dhe Kevin de Bruyne.
Benzema nuk pritet ta fitojë sërish për shkak edhe të largimit nga Real Madridi pas 14 vjetësh, ndërsa u transferua në Al-Ittihad në Arabinë Saudite.
Ceremonia e “Topit të Artë” është më 30 tetor, ndërsa nominimet zyrtare bëhen me 6 shtator.
Prej favoritëve për ta fituar “Topin e Artë” këtë edicion janë: Lionel Messi, Kylian Mbappe, Erling Haaland, Kevin de Bruyne, Ilkay Guendogan, Lautaro Martinez, Victor Osimhen, Khvicha Kvaratskhelia, Vinicius Junior e Robert Lewandowski.
Me shanse më të mira janë Lionel Messi dhe Erling Haaland.
Messi e fitoi Kupën e Botës me Argjentinën në dhjetor të vitit të kaluar, fitoi ligën në Francë dhe ishte lojtari më i mirë i Botërorit në Katar. Në 41 ndeshje shënoi 21 gola dhe 20 asistime me skuadrën e Paris Saint-Germainit. Messi e ka fituar “Topin e Artë” shtatë herë.
Ndërkohë Haaland në 52 ndeshje shënoi plot 52 gola. E fitoi “tripletën” me Manchester Cityn: Premier Leaguen, Kupën FA, dhe të shtunën triumfoi në Ligën e Kampionëve. Ishte golashënuesi më i mirë në Premier League dhe në “Champions”.