Sport

Fatos Beqiraj vazhdon ta thellojë rekordin te Mali i Zi

Në nivel klubesh nuk po kalon ditët më të mira, por Fatos Beqiraj vazhdon të ftohet dhe të luajë për përfaqësuesen e Malit të Zi në futboll. Sulmuesi kosovar, madje po shënon edhe gola.

33-vjeçari është paraqitur në dy miqësoret që Mali i Zi i luajti gjatë kësaj jave. Në barazimin pa gola me Bosnjë-Hercegovinën, më 2 qershor në Sarajevë, Beqiraj ishte kapiten i Malit të Zi. Barazimi u vlerësua shumë lart në vendin fqinj, njëjtë si edhe paraqitja. Beqiraj startoi në atë ndeshje dhe udhëhoqi sulmin e Malit të Zi. Lëshoi një rast të mirë për gol.

Të shtunën mbrëma, Mali i Zi pësoi 3:1 nga Izraeli në Podgoricë. Beqiraj ishte rezervist, ndërsa luajti prej minutës së 60-të. Shënoi golin e vetëm për Malin e Zi, nga pika e bardhë, në minutën e 81-të.

Beqiraj është zëvendës-kapiten i Malit të Zi. Vlerësohet lart në këtë përfaqësuese, ndonëse ka kohë që në nivel klubesh nuk po shënon shumë.

Futbollisti pejan ka arritur në shifrën e 12 golave për Malin e Zi. Është i treti në listën e realizatorëve më të mirë, por larg dy të parëve. Stefan Jovetiq ka shënuar 31 gola në 61 paraqitje, ndërsa Mirko Vuçiniq është i dyti me 17 gola në 46 paraqitje. Vuçiniq tashmë është pensionuar, ndërsa Jovetiq vazhdon të luaj. Beqiraj me golin e së shtunës ka kaluar Stefan Mugoshën, që i ka 11 gola në 37 paraqitje.

Por kosovari është lojtari dukshëm me më së tepërmi paraqitje për Malin e Zi. Dhe rekordi i tij ka gjasë të qëndrojë gjatë. Prej vitit 2009, Beqiraj i ka luajtur plot 80 ndeshje për Malin e Zi. I dyti në listë me më së shumti paraqitje është Elsad Zverotiq me 61 paraqitje, sa i ka edhe Jovetiqi. Pas tyre është Stefan Saviq me 57 paraqitje. Zverotiq është pensionuar, por ka pak gjasë që Jovetiq të kaloi rekordin e Beqirajt.

“Është nder për mua të luaj për Malin e Zi, do të thotë shumë për mua. Prej vitit 2009 jam këtu, kam lëshuar një apo dy ndeshje. Jam këtu për të ndihmuar kur të ka nevojë. Në çdo ndeshje kam dhënë 120 për qind. Ndonjëherë ishte mirë, ndonjëherë keq, por me secilën ndeshje jam krenar”, ka thënë Beqiraj.

Beqiraj së fundi luajti te Bnei Yehuda në Izrael. Në 13 paraqitje realizoi dy gola. Te Bnei Yehuda ishte i huazuar për pjesën e dytë të edicionit, pasi në të parën luajti për Wislan në Poloni. Në 10 paraqitje nuk shënoi gol. Ka luajtur për skuadra të tjera në Izrael, Belgjikë, Rusi, Bjellorusi, Kinë, Kroaci, Mal të Zi e në Kosovë. Kulmin e kishte arritur te Dinamo e Zagrebit, me të cilën u paraqit edhe në Ligën e Kampionëve.

Ditët e lavdisë duken të largëta për Beqirajn, por ai megjithatë vazhdon të paraqitet në nivel mesatar evropian

“Kam kontratë me Wislan edhe për një vit. Do të kthehem atje dhe të shohim. Izraeli ka ligë cilësore, stadiume të mira dhe të huaj cilësorë”, ka theksuar Beqiraj.

Pjesë e Malit të Zi janë edhe Sead Hakshabanoviq, Kristian Vulaj e Adrian Rudoviq.