Fatos Beqiraj më nuk do të luajë për Malin e Zi. Sulmuesi kosovar ka vendosur të tërhiqet nga përfaqësuesja ku mban rekordin për numrin e paraqitjeve. 34-vjeçari Beqiraj ka luajtur për Malin e Zi plot 86 ndeshje, ndërsa ka shënuar 16 gola.
Rekordi i Beqirajt sa i takon numrit të paraqitjeve për Malin e Zi pritet të qëndrojë edhe për një kohë. Lojtari i dytë me më së shumti ndeshje është Stevan Jovetiq. Ai ka 65 ndeshje, ndërsa është, po ashtu, në fazë të vonshme të karrierës. 31-vjeçari Stefan Saviq i ka 62 ndeshje. Të tjerët i kanë më pak se 60 ndeshje.
Për numrin e golave të shënuar, Beqiraj është i treti në listë. Jovetiq i ka 31 gola, Mirko Vuqiniq i pensionuar i ka 17 gola.
Beqiraj në vitin 2009, derisa luante për Buduqnostin e Podgoricës iu bashkua Përfaqësueses U21 të Malit të Zi. Të njëjtin vit debutoi me Përfaqësuesen A të vendit fqinj. Vendimin për të luajtur për Malin e Zi e mori në konsultim me drejtuesit e atëhershëm të futbollit kosovar. Më vonë Beqiraj kishte thënë se Kosova nuk e ka kontaktuar pas pranimit në UEFA e FIFA.
Në vitet e fundit futbollisti nga Peja ishte edhe kapiten i Malit të Zi, ndërsa tifozët në vendin fqinj e kanë mbështetur vazhdimisht.
Ai kishte debutuar ndaj Italisë, më 28 mars të vitit 2009. Ka punuar me gjashtë selektorë të ndryshëm.
“Jeta më ka mësuar se çdo tregim e ka fundin, duke përfshirë edhe tregimet më të mira. Pjesa më e mirë e tregimit tim sportiv është e lidhur me reprezentacionin e Malit të Zi, me kohën e kaluar me djem të shkëlqyeshëm, me kohën e mbushur me emocionet më të mira. Më 28 mars të vitit 2009, që tashmë duket shumë i largët, i jam bashkuar Përfaqësueses së Malit të Zi për të cilën kam dhënë çdo gjë dhe prej të cilës kam marrë jashtëzakonisht shumë. Vitet kanë kaluar, ndeshjet janë luajtur, fitoret janë festuar, humbjet janë ngushëlluar... Gjithnjë kam qenë krenar që kam pasur rastin të luaj për Malin e Zi dhe në ndeshje të caktuara të jem kapiten i saj. Do të kujtoj gjatë të gjitha 86 ndeshjet, e sidomos golat që i kam shënuar”, ka shkruar Beqiraj.
Ai ka thënë se ka bërë shumë shokë gjatë karrierës në Përfaqësuese, ndërsa i ka falënderuar të gjithë selektorët me të cilët ka punuar. Ka falënderuar edhe gjithë të tjerët me të cilët ka bashkëpunuar, duke përfshirë tifozët. Bashkëlojtarët te Mali i Zi i ka quajtur vëllezër të përfaqësueses, ndërsa ka premtuar se do të jetë tifozi më u zhurmshëm i tyre.
Beqiraj ka pasur karrierë të madhe në nivel klubesh. Pasi filloi në Pejë, ai në vitin 2008 iu bashkua Buduqnostit të Podgoricës. Në vitin 2011 kaloi te Dinamo e Zagrebit, me të cilën skuadër arriti sukseset më të mëdha. Luajti në fazën grupore të Ligës së Kampionëve, shënoi gol ndaj Real Madridit dhe ishte realizatori më i mirë i kampionatit kroat. Ka fituar shumë trofe me Dinamon.
Më pas luajti në Kinë, Bjellorusi, Rusi, Belgjikë, Izrael në dy periudha, Poloni dhe tani është te Deçiqi i Tuzit, skuadra shqiptare që po luan me sukses në kampionatin e Malit të Zi.
Si lojtar i Malit të Zi është paraqitur edhe në Prishtinë ndaj Kosovës. Është pritur shumë ngrohtë nga tifozët kosovarë me duartrokitje.
Beqiraj gjatë gjithë karrierës është shquar edhe për korrektësi dhe angazhim. Ndonëse ka luajtur për një përfaqësuese fqinje gjithnjë është parë me simpati në Kosovë.
Edhe mediat në Mal të Zi kanë shkruar me respekt për pensionimin e Beqirajt nga Përfaqësuesja.
“Beqo dhe Mali i Zi: Tregimi për besimin, respektin dhe dashurinë”, shkruan në titull të komentit të gazetës “Vijesti”.
“Beqiraj sot ka njoftuar që përshëndetet nga Përfaqësuesja, përmes një letre emocionale në të cilën ka treguar se për të është me shumë rëndësi që ishte pjesë e tregimit malazez të futbollit, se sa është falënderues për të gjitha dhe ndaj të gjithëve... Mali i Zi ka pasur dhe sigurisht do të ketë futbollistë më të mirë se Fatos Beqiraj. Por lidhjen që kanë pasur Mali i Zi dhe Fatos Beqiraj nuk do ta ketë asnjëri. Asnjëherë”.