Fatos Beqiraj vazhdon ta thellojë rekordin te Mali i Zi, ndërsa po kërkon sfida të reja në nivel klubesh. Sulmuesi i fuqishëm të premten ka vazhduar kontratën me Deçiqin e Tuzit, skuadrën shqiptare të kampionatit të Malit të Zi. Për Deçiqin, 34-vjeçari do të luajë edhe në edicionin e ardhshëm.
Sulmuesi nga Peja i ishte bashkuar Deçiqit në fillim të vitit. Ka luajtur 14 ndeshje dhe ka realizuar vetëm një gol. Por kontributi i tij ishte përtej golave dhe për këtë arsye, Deçiqi vendosi për vazhdim të bashkëpunimit.
Beqiraj është në fazë të vonshme të një karriere të madhe. Ka nisur te Shqiponja dhe Besa në Pejë për të vazhduar te Buduqnosti i Podgoricës, Dinamo e Zagrebit, Changchung Yatai në Kinë, Dinamo Minsk në Bjellorusi, Dynamo Moscow në Rusi, Mechelen në Belgjikë, Maccabi Netanya në Izrael, Wisla Krakow në Poloni, Bnei Yehuda në Izrael, Astana në Kazakistan.
Beqiraj aktualisht është kapiten i Malit të Zi. Por tashmë nuk po luan shumë. Në grumbullimin e fundit, luajti startues ndaj Finlandës, më 7 qershor, ndërsa qëndroi në stol ndaj Rumanisë në dy ndeshje dhe ndaj Bosnjë-Hercegovinës. Ndaj Finlandës ishte kapiten, por luajti vetëm pjesën e parë në humbjen 2:0.
Beqiraj është lojtari me bindshëm më së shumti paraqitje te Mali i Zi. Ka luajtur ndeshjen e 86-të. I dyti në listën është Stevan Jovetiq me 63 ndeshje, ndërsa Stefan Saviq i ka 62 ndeshje. Me 15 gola të shënuar, kosovari është realizatori i tretë më i mirë i Malit të Zi, së bashku me Stefan Mugoshan. Jovetiq e Mirko Vuçiniq kanë më shumë gola se Beqiraj.
Deçiqi tashmë është prej klubeve kryesore në Malin e Zi. Do të paraqitet në Ligën e Konferencës edhe në edicionin e ardhshëm. Kontratën me Deçiqin të premten e vazhdoi edhe Drashko Bozhoviq, ish-lojtar i Prishtinës. Edhe Bozhoviq luan për Malin e Zi.
-
Beqiraj i bashkohet ekipit të vetëm shqiptar në elitën e Malit të Zi
-
Beqiraj i jep fund karrierës si futbollist
-
Beqiraj tërhiqet nga Mali i Zi, rekordi i tij pritet të qëndrojë gjatë
-
Deçiqi fillon furishëm, a po e fiton regjioni edhe një kampion shqiptar?
-
Beqiraj nuk e ka ndërmend të ndalet: Jam në dispozicion të përfaqësueses së Malit të Zi