Fatos Beqiraj të martën shënoi golin e vetëm për Malin e Zi që pësoi 2:1 nga Turqia.
Mali i Zi mbylli kualifikimet në pozitën e katërt në grupin G, pas Holandës, Turqisë e Norvegjisë. Kosovari Beqiraj mban rekordin për paraqitje te Mali i Zi. Ai ka 84 ndeshje e 14 gola. I ka ikur plot 22 ndeshje lojtarit të dytë me më së shumti paraqitje, Stevan Jovetiqit. 33-vjeçari Beqiraj nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga përfaqësuese. Këtë e ka lënë të kuptohet pas ndeshjes me Turqinë. “Kemi humbur për shkak të pakujdesit. Ndeshjen e filluam ashtu si u morëm vesh me selektorin. Mund të jem krenar për ekipin. Dy ndeshjet e fundit janë model se si reprezentacioni duhet të luaj në të ardhmen. Kanë munguar shumë lojtarë. Futbollistët e rinj që kanë fituar rastin kanë dëshmuar se mund të jenë pjesë e këtij grupi”, ka thënë Beqiraj pas ndeshjes.
Ai vlerësohet lartë në Mal të Zi. “Gjithnjë kam thënë, unë jam në shërbim të përfaqësueses dhe do të jem këtu për aq kohë sa ka nevojë për mua”, ka shtuar Beqiraj.