Gazetari i Grupit KOHA, Faton Polisi ka marrë çmim për gazetari nga Koalicioni i Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, për fokusin në të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve, për vitin 2023.
KOMF-i, në një ceremoni të mbajtur të mërkurën, ndau tri çmime vjetore në fushën e gazetarisë dhe gjashtë mirënjohje vjetore me titull “Mik i Fëmijëve”.
Polisi e mori çmimin për storien “Lisnaja e Dubravës më shumë se një klub boksi”.
Pos Polisit, çmime kanë marrë edhe Adelina Ahmeti nga Kallxo.com dhe Laura Çelaj nga T7.
“Krahas ngjarjeve globale dhe aktiviteteve të sporteve të ndryshme në Kosovë, redaksia e sportit në Grupin KOHA promovon edhe talentet dhe personat me vullnet të mirë. Të tillë janë edhe drejtuesit e klubit Lisnaja, të cilët kanë hapur klubin e boksit për t’i larguar fëmijët nga dukuritë negative”, ka thënë Polisi gjatë ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve.
Mirënjohjet “Miqtë e Fëmijëve” iu ndanë Agron Abrashit, kompanisë “Aleksander Chapman”, “Familjes strehuese Rexhaj”, “Familjes strehuese Maksutaj”, Shkollës “Milenimi i Tretë” dhe Nuran Boshnjakut.