Shtëpia e gjyshes Emily Farley ditët e fundit ka filluar të bjerë shumë në sy në qytetin e Liverpoolit, saktësisht në lagjen që njihet për tifozllëk të madh ndaj ekipit tjetër të këtij qyteti, Evertonit.
63-vjeçarja është tifoze e çmendur e Liverpoolit dhe tashmë shtëpinë e saj e ka shndërruar në faltore për t'i dhënë përkrahje ekipit, shkruan “Daily Mirror”, transmeton “Koha Ditore”. Farley e ka dekoruar shtëpinë e saj me ngjyrat e Liverpoolit, saktësisht e ka mbuluar me një koleksion të flamujve, banderolave dhe gjërave të tjera që lidhen me ekipin e drejtuar nga Juergen Klopp.
Në oborrin e shtëpisë ajo ka vendosur edhe një fotografi të madhe prej kartoni të yllit kryesor të ekipit, egjiptianit Mohamed Salah.
Kjo që ka bërë kjo gjyshe britanike tashmë është shndërruar në atraksion për turistët, të cilët po e vizitojnë shtëpinë e saj. Në të vërtetë, shtëpia në “Prince Edwin Street” është bërë shumë e famshme jo vetëm në Britani, por edhe më larg.
Për fëmijët e saj kjo nuk është ndonjë çudi. Ata kanë zbuluar që sa herë Liverpooli ka arritur në ndonjë finale, e ëma e tyre ka vepruar në të njëjtën mënyrë. I biri i saj, Davidi shpreson që këtë herë Liverpooli të triumfojë në Ligën e Kampionëve, në mënyrë që mundi i së ëmës të mos shkoj huç. Liverpooli më 26 maj në Kiev të Ukrainës do të luajë në finale të Ligës së Kampionëve kundër skuadrës së Real Madridit.
“Duket sikur e ëma ime pak sa është emocionuar dhe e ka tepruar me përkrahjen që i ka ofruar Liverpoolit para finales të Ligës së Kampionëve”, thotë David 38-vjeçar. “Por nuk befasohem për shkak se tashmë jam mësuar me të. Në çdo finale që ka arritur Liverpooli prej se e mbaj në mend, e ëma e ka dekoruar shtëpinë ngjashëm. Por këtë herë ka dekorime më shumë se zakonisht”... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)