Ish-futbollisti i shquar i Iranit, Ali Daei, i cili ka shprehur mbështetje për protestat antiqeveritare, thotë se gruaja dhe vajza e tij u penguan të largoheshin nga vendi të hënën, kur aeroplani i tyre bëri një ndalesë të paparalajmëruar rrugës për në Dubai.
Ali Daei, të cilit iu konfiskua pasaporta për pak kohë pasi u kthye në vend në fillim të këtij viti, tha se gruaja dhe vajza e tij u nisën nga kryeqyteti, Teherani, në mënyrë të rregullt përpara se aeroplani i tyre të bënte një ndalesë të papritur në ishullin Kish në Gjirin Persik, ku janë marrë në pyetje nga autoritetet dhe nuk janë lejuar të largoheshin.
Daei tha se vajza e tij u lirua, por dyert e aeroplanit ishin mbyllur tashmë. Ai tha se familja e tij kishte planifikuar të udhëtonte në Dubai dhe të kthehej javën e ardhshme në Iran. Faqja e internetit për gjurmimin e fluturimeve “Flightradar24” tregoi se fluturimi W563 i aviokompanisë “Mahan Air” kishte devijuar rrugën për në ishullin Kish përpara se të udhëtonte për në Dubai disa orë më vonë. Megjithatë, nuk pati asnjë koment nga linja ajrore apo autoritetet iraniane në lidhje me këtë çështje.
Daei është një nga disa të famshëm iranianë që kanë dalë në mbështetje të protestave të nxitura nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini në shtator. Gruaja kurde vdiq pasi u arrestua nga policia morale e Iranit në Teheran, për dyshimin se kishte shkelur kodin e rreptë të veshjes. Daei është futbollisti më i famshëm i Iranit, kurse ka shënuar 112 gola në 287 paraqitje.
Protestat u përhapën me shpejtësi në të gjithë vendin dhe u përshkallëzuan në thirrje për përmbysjen e teokracisë së krijuar pas revolucionit të vitit 1979, duke e bërë një nga sfidat më të mëdha për sundimin klerik në më shumë se katër dekada.
Të paktën 507 protestues janë vrarë dhe më shumë se 18,500 njerëz janë arrestuar, sipas aktivistëve për të drejtat e njeriut në Iran. Autoritetet iraniane nuk kanë ofruar të dhëna për të vrarët apo të arrestuarit.
Para se t'i konfiskohej pasaporta, Daei, golashënuesi i dytë më i mirë ndërkombëtar dhe ish-kapiteni iranian, i kishte kërkuar qeverisë përmes mediave sociale që “të zgjidhte problemet e popullit iranian në vend që të përdorte represionin, dhunën dhe arrestimet”. Më vonë tha se i ishte kthyer kjo kërkesë nga ana e Qeverisë në mënyrë të ashpër. Atij i janë mbyllur të gjitha bizneset në vend dhe po ashtu i ishte konfiskuar pasaporta, e cila i është kthyer pas disa ditëve. Protestuesit pa lider, që tubohen nën sloganin “gratë, jetë, liri”, thonë se janë të ngopur pas dekadash represioni social dhe politik nga një institucion klerik që ata e shohin si të korruptuar. Autoritetet iraniane kanë fajësuar për trazirat kundërshtarët e huaj si SHBA-në dhe Izraelin. Garda revolucionare dhe paramilitare e Iranit nëpërmjet një komunikate ka bërë të ditur se ka arrestuar shtatë persona të dielën në qytetin Kerman, të cilit kishin lidhje direkte me Britaninë, e cila është e përfshirë në këto protesta. Madje në njoftim thuhet se disa prej të arrestuarve kishin shtetësi të dyfishtë por nuk u dhanë më shumë detaje. Shteti ka arrestuar një numër të madh iranianësh me shtetësi të dyfishtë vitet e fundit dhe i ka akuzuar për shkelje të sigurisë shtetërore në seanca gjyqësore të mbajtura me dyer të mbyllura. Grupet për të drejtat e njeriut thonë se të burgosurve të tillë u mohohet procesi i rregullt dhe e akuzojnë Iranin se po i përdor ata për pazare me Perëndimin, diçka që zyrtarët iranianë e mohojnë kategorikisht.