Sport

Evropiani i boksit nisi pa garuesit e Kosovës pjesë e tij

Kampionati Evropian i boksit

Të hënën janë zhvilluar meçet e para në Kampionatin Evropian të boksit. Evropiani i seniorëve po mbahet në Armeni, ndërsa pjesë e tij janë boksierë nga 39 vende. Por jo edhe nga Kosova.

Federata e Boksit e Kosovës nuk ka dërguar boksierë në Jerevan të Armenisë, ndërsa ka përmendur shumë arsye për këtë.

Boksi në Kosovë është në moment të lavdisë. Kjo falë medaljes së bronztë botërore që Donjeta Sadiku e fitoi javën e kaluar. Donjeta të shtunën u kthye në Kosovë nga Stambolli, ku shkëlqeu në Botëror. Të dielën asaj iu organizua një pritje në kuadër të turneut ndërkombëtar “Lah Nimani”. Të hënën Donjeta mori shpërblimin shtetëror që i takon për suksesin në Botëror, përkatësisht për medaljen e bronztë.

Por nuk do të ketë medalje për Kosovën nga Evropiani në Jerevan. Nuk do të ketë as humbje e as fitore.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli, ka treguar se kanë vlerësuar që fokusi duhet të jetë në Lojërat Mesdhetare që mbahen muajin tjetër. Sipas Demollit, gjasat që boksierët të fitojnë medalje në Lojërat Mesdhetare janë më të mëdha se për Kampionatin Evropian.

“E kemi parë më të arsyeshme që të fokusohemi dhe të përgatitemi për Lojërat Mesdhetare, ku presim që të fitojmë medalje. Edhe boksierët kanë kaluar disa lëndime që i kanë pasur dhe do të jenë më të përgatitur për Lojërat Mesdhetare. Do të shkojmë në përgatitje jashtë vendit për Lojëra Mesdhetare dhe jemi të përkushtuar për sukses në këtë ngjarje me rëndësi”, ka thënë Demolli të hënën për KOHËN.

Sipas tij, ndikim ka pasur edhe ana financiare. Udhëtimi në Jereven do të kishte kosto prej rreth 10 mijë euro. Për pjesëmarrje në ngjarjet e kaluara FBOXK është dashur të huazojë para, ndërsa aktualisht i ka mbi 12 mijë euro obligime të papaguara, që kanë të bëjnë me gara ndërkombëtare.

“Në takimin që sot kishim me ministrin Hajrulla Çeku na është premtuar përkrahje e madhe. Pra pos asaj që parashikohet me memorandume, na është premtuar përkrahje për projekte të tjera me rëndësi për zhvillimin e boksit në vendin tonë. Medalja e Donjetës është sinjal që jemi në rrugën e duhur dhe që e ardhmja e boksit është e ndritur”, ka shtuar Demolli.

Ai ka treguar se në Lojërat Mesdhetare do të garojnë katër boksierë e një boksiere, përkatësisht Donjeta Sadiku.

Boksierët vjet nuk ishin lejuar të merrnin pjesë në Botërorin në Beograd dhe kjo kishte bërë bujë. Andaj jo të gjithë e kuptojnë vendimin për të lëshuar Evropianin. Por në FBOXK aktualisht fokusin e kanë te ngjarje të tjera ku presin të fitojnë medalje.

“Në Evropian konkurrenca është shumë e fortë. Po ashtu edhe kategoritë ndryshojnë dhe boksierët tanë do të duhej të humbnin peshë. Për Lojëra Mesdhetare është më ndryshe puna e kategorive, që janë më të përshtatshme për garuesit tanë”, ka shtuar Demolli.

Gjithsej 219 boksierë paraqiten në Evropian. Shqipëria merr pjesë me fituesin e medaljes së bronztë botërore, Alban Beqiri.

Lojërat Mesdhetare mbahen në Oran të Algjerisë prej 25 qershorit deri më 5 korrik. Kosova merr pjesë me numër të madh sportistësh. Shpenzimet për Lojërat Mesdhetare i mbulon Komiteti Olimpik i Kosovës.