Mesfushori holandez Donny van de Beek i është bashkuar skuadrës së Evertonit.
Ai është huazuar te Evertoni nga skuadra e Manchester Unitedit deri në fund të këtij sezoni. 24-vjeçari ka deklaruar se ndihet i nderuar që do të jetë pjesë e Evertonit dhe do të luajë nën urdhrat e Frank Lampardit, i cili orë më parë u konfirmua si trajner i ekipit.
“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e skuadrës së Evertonit dhe shpresoj që me cilësitë e mia ta ndihmoj të arrij synimet që ka. Unë dua që me këtë fanellë t’i dëshmojë cilësitë e mua në Angli, veçanërisht para tifozëve të Evertonit”, ka thënë ndër të tjera Van de Beek.
Ai u largua nga Unitedi për shkak të hapësirës së vogël që ka pasur këtë sezon, ku ka regjistruar 380 minuta lojë në të gjitha garat dhe ka shënuar një gol. Holandezi iu bashkua Unitedit në vitin 2020 nga Ajaxi për 45 milionë euro dhe ka kontratë deri në vitin 2025.