Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Erlind Haaland, makineria e golave

Sulmuesi Erling Haaland, i cili sipas të gjitha gjasave do të jetë lojtari më i paguar në Premier League, ka bërë një karrierë duke thyer rekorde. Prej edicionit 2022/23, Haaland do ta bartë fanellën e Manchester Cityt, ekip që të martën e zyrtarizoi transferimin e tij.

Kampioni në fuqi i Anglisë njoftoi se ka arritur marrëveshje me ekipin gjerman, Borussia Dortmund, por nuk i bëri të ditura detajet. 21-vjeçari që do t’i bashkohet Cityt më 1 korrik thuhet se i ka kushtuar ekipit nga “Etihad Stadium” hiq më pak se 75 milionë euro, sa ishte klauzola e lirimit të tij në kontratën që e kishte me Dortmundin.

“Manchester City mund të konfirmoj se ka arritur marrëveshje në parim me Borussia Dortmundin për transferimin e sulmuesit Erling Haaland, i cili do t’i bashkohet klubit më 1 korrik të këtij viti. Transferimi mbetet subjekt i finalizimit të kushteve mes lojtarit dhe klubit”, thuhej në njoftimin e lëshuar nga City. Norvegjezi, i cili konsiderohet si njëri prej sulmuesve më të talentuar në botë, te City do ta mbushë boshllëkun e lënë nga Sergio Aguero që u largua verën e shkuar. I lindur në Leeds, djali i ish-sulmuesit të Manchester Cityt, Alf-Inge Haaland, nuk kishte mbushur as 20 vjet kur u bë lojtari i parë që shënoi gjashtë gola në tri ndeshjet e tij të para në Ligën e Kampionëve. Ai shënoi “hat-trick” në debutim evropian për Salzburgun në shtator të vitit 2019 kundër Genkut. E dëshmoi se nuk ishte e rastësishme duke shënuar një tjetër “hat-trick” kundër Liverpoolit, përpara se të realizonte edhe dy gola ndaj Napolit.

29 golat në 27 ndeshje për Salzburgun e vendosën atë në radarin e Borussia Dortmundit, ekip që e angazhoi për 20 milionë euro në dhjetor 2019. Ai u bë lojtari i parë që shënoi “hat-trick” në Bundesligën e Gjermanisë në debutimin e tij si zëvendësues. Iu nevojiten vetëm 23 minuta për të shënuar tri herë dhe për ta vulosur fitoren e Dortmundit me rezultatin 5:3 kundër Augsburgut.

“Për këtë arsye me keni transferuar”, i kishte thënë Haaland drejtorit sportiv të Dortmundit, Michael Zorc pas ndeshjes.

Ai është lojtari më i ri që ka shënuar 50 gola në kampionatin gjerman, duke arritur momentin historik në vetëm 50 ndeshje - një tjetër rekord. Në total, Haalandi ka shënuar 85 gola në 88 paraqitje në të gjitha garat për Dortmundin. Po ashtu, Haaland është i njohur edhe për përgjigjet e shkurtra që i jep nëpër intervista. Në një përgjigje epike për mediumet gjermane, Haaland kishte thënë: “Në ditën që do të jap intervistë më shumë se një minutë, do të jetë dita kur do të përshëndetem nga futbolli aktiv”.

Në dhjetor të vitit 2019 Haaland arriti një tjetër rekord historik. Ai shënoi nëntë gola mbresëlënës - tre “hat-trick” në një ndeshje të vetme - kur juniorët e Norvegjisë mposhtën Hondurasin me rezultatin 12:0 në Kupën e Botës për gjeneratën U19. Në gjashtë muajt e parë me Dortmundin - duke përfshirë pushimin e detyruar dymujor si rezultat i pandemisë Covid-19 - Haaland shënoi 16 gola në 18 ndeshje. Në edicionin 2020/21, ai shënoi 41 gola në po aq ndeshje të luajtura për Dortmundin në të gjitha garat. Ai e ndihmoi Dortmundin të arrinte në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, duke shënuar dy herë në dy ndeshjet kundër Sevillas në kuadër të 1/8 së finales të kësaj gare. Megjithatë, nuk shënoi ndaj Manchester Cityt në dy duelet pasuese, në të cilat u konfirmua eliminimi i Dortmundit në Champions.

Norvegjezi u sigurua që Dortmundi të përfundonte sezonin e kaluar me një trofe kur së bashku me anglezin Jadon Sancho shënuan nga dy gola në finalen e Kupës së Gjermanisë në triumfin 4:1 kundër Leipzigut. Sancho iu bashkua Manchester Unitedit menjëherë më pas, por edhe pa anësorin anglez pranë tij Haaland e nisi me bujë këtë kampionat. Ai shënoi dy gola dhe asistoi tre të tjerë në fitoren 5:2 ndaj Eintracht Frankfurtit në një paraqitje madhështore në ditën e hapjes së edicionit 2021/22, duke përfunduar me shtatë gola në pesë ndeshjet e tij të para në ligë. Megjithatë, lëndimi e goditi në shtator dhe bëri që Haaland të mos rikthehet në fushë deri në muajin nëntor.

“Ai është një qenie njerëzore, jo një makinë”, tha trajneri i Dortmundit, Marco Rose, kur dëmtimi e ndaloi fillimin e furishëm të Haalandit.

Si rezultat i lëndimit të Haalandit, klubi dhe vendi i tij pësuan. Me Haalandin e lënduar, Dortmundi u eliminua nga Liga e Kampionëve në fazën e grupeve duke përfunduar i treti, ndërsa Norvegjia nuk arriti të kualifikohet për kampionatin botëror “Katari 2022”, që nis në nëntor të këtij viti.

28 golat në 29 ndeshje këtë sezon ende justifikojnë çmimin astronomik që City është pajtuar ta paguajë për shërbimet e Haalandit. Kalimi i tij tek ekipi anglez mund të konsiderohet si njëri prej transferimeve më të mëdha të afatit kalimtar të verës, i cili do të hapet me përfundimin e edicionit aktual.

Artikuj të ngjashëm