Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Erikseni udhëton për në Milano javën e ardhshme

Mesfushori danez i Interit, Christiaan Erikseni, do të kthehet në Milano të Italisë javën e ardhshme, për t’iu nënshtruar kontrollimeve mjekësore. Kështu të paktën kanë raportuar të dielën media të ndryshme në Itali.

29-vjeçari pësoi arrest kardiak në fushë në ndeshjen hapëse të Danimarkës në Euro 2020, më 12 qershor.

Ish-lojtarit të Tottenhamit i është vënë një defibrilator, ndërsa karrierës së tij në Serie A do t’i vijë fundi nëse pajisja duhet të qëndrojë gjithnjë. Paraqitja në Itali me një pajisje të tillë të vënë, është e ndaluar për sportet e kontaktit. Por është e mundur të luhet në disa vende të tjera, njoftoi FootballItalia.

Eriksen javën tjetër do të takohet me bashkëlojtarët e Interit, trajnerin e ri Simone Inzaghi dhe do të bëjë kontrollime mjekësore.

“Unë kam folur me Eriksenin para Evropianin, jo pas tij. Kam llogaritur në të. Erikseni ka kohë që të kthehet, ne e presim me duar hapur”, kishte thënë Inzaghi.