Pritjes së Christian Eriksenit i ka ardhur fundi, pasi mesfushori danez do të aktivizohet në ndeshjen që Brentfordi e luan ndaj Newcastle Unitedit në kuadër të Premier League.
Kjo është konfirmuar edhe nga trajneri i Brentfordit, Thomas Frank të premten në konferencën për shtyp para ndeshjes. Dueli mes Brentfordit dhe Neëcastlet, zhvillohet të shtunën prej orës 16:00 dhe i takon xhiros së 27 në Premier League.
Eriksen muajin e shkuar iu bashkua Brentfordit si lojtar i lirë, por nuk ka luajtur ndeshje zyrtare që nga ataku kardiak që e pësoi në fushë mes Danimarkës dhe Finlandës në kuadër të Kampionatit Evropian. Në fakt, ai ka luajtur ca ndeshje miqësore me ekipin e dytë të Brentfordit dhe sipas trajnerit Frank, danezi është gati për t’u kthyer në fushë pas një kohe të gjatë.
“Christian Erikseni do të jetë në ekip për ndeshjen ndaj Newcastlet dhe do të ketë minuta në fushë. Është një ditë e madhe për të gjithë ne, por në veçanti për Christianin dhe familjen e tij”, ka thënë trajneri i Brentfordit, Frank.