Christian Eriksen ka theksuar se ai “vdiq” për pesë minuta, pas kolapsimit tmerrues në Kampionatin Evropian të futbollit. Mesfushori pësoi arrest kardiak në ndeshjen hapëse të Danimarkës në “Euro 2020” kundër Finlandës, që u zhvillua në muajin qershor të vitit të shkuar në “Parken Stadium” në Kopenhagë.
Ish-futbollisti i Tottenhamit dhe Interit u ringjall përfundimisht falë reagimit të shpejtë të bashkëlojtarit të tij, Simon Kjaer, dhe punës së jashtëzakonshme të mjekëve në fushë. Eriksen ka folur për këtë ngjarje gjatë një interviste të sinqertë në kanalin televiziv të Danimarkës “DR 1”. Mesfushori ka zbuluar se zemra ndaloi së rrahuri për pesë minuta. Përderisa mjekët mundoheshin ta shpëtonin Eriksenin, tifozët ishin të tmerruar në tribuna së bashku me bashkëshorten e tij.
Ishte kapiteni i Danimarkës, Kjaer, që u kërkoi lojtarëve të tjerë të krijonin një “mur të gjallë” rreth Eriksenit, derisa mjekët po e kryenin punën e tyre. Kur Eriksen u ringjall, u dërgua menjëherë në spital, ndërsa ndeshja që nuk kishte më me rëndësi vazhdoi dhe u mbyll me fitoren minimale 1:0 të Finlandës.
“Ishte mahnitëse që kaq shumë njerëz ndien nevojën për të shkruar ose dërguar lule. Ka pasur ndikim te kaq shumë njerëz dhe ata ndien nevojën të më njoftojnë mua dhe familjen time. Kjo më bëri shumë të lumtur. Në spital ata vazhdonin të thoshin se do të merrja gjithnjë e më shumë lule”, ka thënë Eriksen. “Ishte e çuditshme sepse nuk prisja që njerëzit të dërgonin lule – sepse vdiqa për pesë minuta.
Ishte mjaft e jashtëzakonshme, por ishte shumë mirë nga të gjithë dhe ka qenë një ndihmë e madhe për mua që të marr të gjitha ato urime të mira. Dhe, njerëzit ende më shkruajnë”.
Eriksen, 29-vjeçar, ka falënderuar të gjithë ata që ndihmuan për të shpëtuar jetën e tij, si dhe të dashurit e tyre.
“Kam falënderuar njerëzit që kam takuar personalisht, i kam falënderuar mjekët, bashkëlojtarët e mi dhe familjet e tyre personalisht. Por të gjithë fansat që kanë dërguar mijëra letra, emaile dhe lule ose që vijnë tek unë në rrugë - si në Itali, ashtu edhe në Danimarkë - i falënderoj për mbështetjen që kam marrë nga e gjithë bota”, ka thënë Eriksen.
E ardhmja e Eriksenit është e paqartë pas arrestit kardiak, gjë që e detyroi futbollistin të vendosë një defibrilator (ICD). Mesfushori i Danimarkës në muajin e shkuar e shkëputi kontratën me Interin pas marrëveshjes së dyanshme. Ai ishte i detyruar në një veprim të tillë për shkak se në Itali nuk lejohen të luajnë futbollistët që kanë defibrilator.
Edhe pse ishte shumë afër vdekjes, Eriksen nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga futbolli aktiv. Ai së fundi është stërvitur te një klub në Danimarkë dhe te Sioni në Zvicër, ku ka punuar në gjendjen fizike dhe është në pritje të një oferte për t’iu bashkuar ndonjë ekipi gjatë këtij muaji. Në fakt Eriksen tha se synimet e tij janë shumë të mëdha, pasi beson se është në formë shumë të mirë fizike.
“Synimi im është të luajë në Kampionatin Botëror që mbahet në fund të këtij viti në Katar. Dua të luaj në këtë turne. Në fakt gjatë tërë kësaj kohe në mendje e kam pasur këtë dhe për këtë arsye nuk do të largohem nga futbolli aktiv”, është shprehur Eriksen.
“Është një synim, është një ëndërr. Nëse nuk do të përzgjidhem është diçka tjetër. Por është ëndrra ime të kthehem. Jam i sigurt se mund të kthehem sepse nuk ndihem ndryshe. Fizikisht jam kthyer në top formë. Ky është qëllimi im dhe deri te Botërori kam ende kohë. Kështu që deri atëherë unë thjesht do të luaj futboll dhe do të dëshmoj se jam kthyer në të njëjtin nivel”.
Agjenti i Eriksenit ditë më parë ka paralajmëruar se klienti i tij është gati për t’u kthyer dhe se nuk i mungojnë ofertat. Ndërkohë gjasat janë të mëdha që danezi të kthehet në Premier League, pasi tashmë shumë ekipe janë të interesuara për shërbimet e mesfushorit. Krahas Tottenhamit e Interit, Eriksen ka bërë karrierë edhe te Ajaxi. Ai ka 226 paraqitje në Premier League përgjatë shtatë edicioneve te Tottenhami, ku shënoi edhe 51 gola dhe bëri 67 asistime.