Me largimin e brazilianit Neymar nga Paris Saint-Germaini, trajneri Luis Enrique do të mbështetet te dyshja Kylian Mbappe e Ousmane Dembele që do t’i prijnë sulmit të kampionit të Francës këtë edicion. Në fakt, Luis Enrique do të mbështetet te Mbappe e Dembele dhe është i bindur se sulmuesit francez, do të jenë në gjendje ta udhëheqin Parisin drejt trofeve. Si Mbappe ashtu edhe Dembele, të dy janë të gatshëm dhe pritet të startojnë prej fillimit kundër Toulouset, ndeshje kjo që i takon xhiros së dytë të Ligue 1 dhe zhvillohet të shtunën. Mbappe u rikthye në ekipin e parë të PSG-së javën e kaluar, pasi u hoq një ditë para duelit të parë të edicionit 2023/24 kundër Lorientit. Ai ishte i ngrirë nga skuadra kryesore për javë të tëra mes një bllokimi të vazhdueshëm të kontratës dhe largimit nga Parisi. Golashënuesi më i mirë i ligës në pesë edicionet e fundit, e shikoi pa barazimin pa gola të PSG-së me Lorientin nga tribuna së bashku me nënshkrimin e ri dhe fituesin e Kupës së Botës, Dembele,n i cili kishte përfunduar transferimin e tij nga Barcelona për 60 milionë euro.
“Kyliani është në formë të shkëlqyer, ai ka shumë dëshirë të luajë dhe është në një gjendje shumë të mirë shpirtërore. Jam shumë i lumtur që kam një lojtar të klasit botëror si Kyliani”, tha trajneri Luis Enrique të premten.
Spanjolli Luis Enrique shtoi gjithashtu se Dembele është i gatshëm për të luajtur “që nga minuta e parë” ndaj Toulouset, por trajneri pranoi se klubi duhet ta forcojë edhe më tej repartin e sulmit para se të mbyllet afati kalimtar në fund të këtij muaji. PSG-ja, humbi Lionel Messin si lojtar të lirë te skuadra amerikane Inter Miami këtë verë, ndërsa transferimi rekord, sulmuesi Neymar iu bashkua ditë më parë ekipit nga Arabia Saudite, Al-Hilal për 90 milionë euro.
“Ne duhet ta forcojmë ende sulmin, sepse është reparti ku kemi pasur më së paku përforcime deri më tani. Kështu që, kemi ende punë për të bërë deri në fund të këtij muaji. Është e rëndësishme të kemi sulmues të mjaftueshëm edhe pse besoj se Mbappe e Dembele do të na ndihmojnë të jemi të suksesshëm këtë edicion”, shtoi Luis Enrique.
Dembele te PSG-ja, do ta bartë fanellën me numrin 10, të cilën e kishte bartur Neymari prej vitit 2017 kur iu bashkua nga Barcelona për 222 milionë euro. Dembele, fillimisht kishte zgjedhur fanellën me numrin 23, por largimi i Neymarit i mundësoi atij që ta ndryshoj numrin. Sa i përket largimit të Neymarit, Luis Enrique nuk dukej shumë i shqetësuar.
“Mendoj se ishte një vendim i favorshëm për të gjithë. Do të doja ta falënderoja për sjelljen që ka treguar që kur kam ardhur në krye të Parisit. Ai është një lojtar i klasit botëror dhe i uroj çdo të mirë dhe suksese në të ardhmen”.
Luis Enrique zbuloi se ende e ka zgjedhur kapitenin për këtë edicion, duke shtuar se këtë vendim ia ka lënë futbollistëve të tij.
Edhe
Sfida e madhe e Enriques te Parisi mes pasigurisë për Mbappen e Neymarin
“Është shumë e thjeshtë, nuk e zgjedh unë kapitenin, e zgjedhin lojtarët. Ata u takuan këtë javë”, tha ai.
“Janë katër kapitenë, është diçka që përcaktohet nga lojtarët, jo nga trajneri, unë dua që ai (kushdo që lojtarët zgjedhin) të jetë kapiteni i tyre, jo kapiteni im”.
Mediat franceze raportuan se mbrojtësi i Brazilit, Marquinhos do të vazhdoj edhe këtë edicion ta mbajë shiritin duke pasur parasysh se ka qenë kapiten i Parisit në tri edicionet e fundit.