Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Sfida e madhe e Enriques te Parisi mes pasigurisë për Mbappen e Neymarin

Luis Enrique - PSG

Luis Enrique është trajneri i tetë që merr drejtimin e Paris Saint-Germainit në 12 vitet prejse klubi është me pronarë nga Katari, që me qasjen e tyre të angazhimit dhe shkarkimit të trajnerëve kanë dështuar në arritjen e synimit kryesor – triumfit në Ligën e Kampionëve.

Ish-trajneri i Spanjës dhe Barcelonës nënshkroi kontratë dyvjeçare në korrik pasi Christophe Galtier u shkarkua. Ai përballet me një detyrë të dyfishtë: ta bëjë skuadrën konkurruese në Evropë dhe të sigurojë një lojë më tërheqëse se paraardhësit e tij.

Presidenti i klubit, Nasser Al-Khelaifi tha se ardhja e Enriques do të shënojë fillimin e një cikli të ri dhe një stil më të mirë loje, por premtime të tilla te PSG-ja janë më të lehta për t’u bërë sesa për t’u realizuar.

Së pari është një ndeshje në shtëpi kundër klubit modest të Lorientit të shtunën në mbrëmje, ku Enrique do të kërkojë të vendosë formacionin e tij të preferuar 4-3-3. Por edhe para se të drejtonte ekipin në ndeshjen e parë, raportet në mediat spanjolle fundjavën e kaluar thanë se Enrique dëshironte të largohej nga klubi, shkaku i zhgënjimit me krerët e klubit në lidhje me trajtimin e situstës së sulmuesit Kylian Mbappe.

Në këtë fazë, Enrique as nuk e di nëse Mbappe do të përfshihet fare në ekip, ndërsa ngecja e tij me klubin vazhdon, dhe e përditshmja kryesore sportive “L'Equipe” raportoi të hënën se superylli tjetër, braziliani Neymar dëshiron të largohet këtë verë.

PSG-ja nuk ka komentuar në lidhje me këtë çështje, por sulmuesi brazilian është lidhur me një rikthim në Barcelonë, dhe e gjithë kjo i bën gjërat më të vështira për Enriquen edhe para ndeshjes së tij të parë.

Mbappe ka qenë në mosmarrëveshje me PSG-në që kur i tha klubit muajin e kaluar se ai nuk do të përdorte opsionin e një zgjatjeje 12-mujore të kontratës së tij, që do të thotë se ai mund të largohet falas vitin e ardhshëm nëse nuk shitet para përfundimit të këtij afati kalimtar. Nëse Mbappe qëndron këtë edicion, atëherë Enrique do të jetë trajneri i tij i pestë qëkur iu bashkua Parisit në vitin 2017.

Trajnerët e mëparshëm nuk arritën ta fitonin Ligën e Kampionëve, ndërsa Thomas Tuchel arriti deri në finale të kësaj gare në vitin 2020. Enrique kishte mbetur pa punë që nga eliminimi i Spanjës nga Kupa e Botës vitin e kaluar. Ai u zotua të mbajë të njëjtën filozofi sulmuese që e bëri reputacionin e tij te Barça, ku fitoi tripletën në vitin 2015. Ai ka ardhur te klubi francez në një kohë kur PSG-ja është në tranzicion të madh.

Por Enrique ka rinovuar skuadrat më parë, duke e bërë këtë me Spanjën pas eliminimit të saj në fazën e 1/8 e finales të Kupës së Botës në Rusi. Nëse Mbappe shitet, atëherë Enrique do të mbështetet shumë te Neymari – me kusht që të qëndrojë – dhe kushdo që transferohet për të forcuar sulmin.

Sulmuesi i krahut, Ousmane Dembele, është raportuar se do të jetë nënshkrimi i radhës te PSG-ja. Edhe pse Dembele është i shpejtë sikurse Mbappe, ai nuk e ka pothuajse të njëjtën aftësi para portës duke pasur parasysh se ka shënuar 40 gola në 185 ndeshje për Barcelonën dhe vetëm katër në 37 për Francën.

Enrique do të kishte nevojë për një sulmues të klasit të lartë për të zëvendësuar Mbappen, por ata janë në mungesë. Sulmuesi i Anglisë, Harry Kane pritet të mbetet te Tottenhami, ndërsa Robert Leëandoëski ka kontratë afatgjate me Barcelonën.

Enrique ka ndryshuar formacionet gjatë turneut parasezonal në Japoni dhe Korenë e Jugut, ku PSG-ja fitoi vetëm një ndeshje. Ditë më parë, PSG-ja e huazoi portugezin Gonçalo Ramos nga Benfica dhe Enrique mund të mbështetet tek ai, duke pasur parasysh se edicionin e shkuar shënoi 27 gola në 47 ndeshje.

Megjithatë, Ramos nuk ka përvojë në nivelin më të lartë. Në fund të fundit, mbrojtja e titullit të kampionit të Francës duhet të jetë arritje e lehtë për Enriquen, pasi konkurrenti i vetëm i Parisit në edicionin e ri, pritet të jetë Marseille.

Ndërsa, sa i përket suksesit në Ligën e Kampionëve, atëherë mund të jetë vështirë në edicionin e parë të Enriques, qoftë me Mbappen apo pa të në ekip.

Artikuj të ngjashëm