Ai është njeri i fjalëve të qarta. Granit Xhaka nuk njihet si njeri që u shkon gjërave përreth. Kur kapiteni i Zvicrës flet, ai ka diçka për të thënë. Dhe duhet të jeni të sigurt që 31-vjeçari pas fjalëve kalon në vepra. Ashtu si pritet nga një lojtar lider.
Xhaka është lojtar që ka kurajën të thotë atë që e mendon. Ndoshta për shkak të kësaj lideri i mesfushës së Bayer Leverkusenit është shumë i rezervuar kur bëhet fjalë për një temë. Për titullin e kampionit të Gjermanisë.
Natyrisht ka shumë kohë prej se Xhaka ka thënë se ky është synimi. Por, ndonëse Leverkuseni ka dhjetë pikë më shumë se Bayerni, nuk ka shenja për deklarata të fuqishme nga Xhaka. Në prag të ndeshjes së kthimit me Qarabagun në Ligën e Evropës, Xhaka ka thënë se javë vendimtare janë para Leverkusenit.
“Tani është faza më e rëndësishme, secila ndeshje është finale. Nëse humbni, ju jeni jashtë. Sidomos në Ligën e Evropës dhe në Kupë, por për ne edhe në Bundesligë. E dimë që secila ndeshje është vendimtare”.
Secili që e dëgjon Xhakën duke thënë këtë për garën për titull, e di që nuk është një frazë boshe. Kjo dëshmon gjurmët e thella nga dështimi i edicionit të kaluar. Arsenali me Xhakën në përbërje kishte lëshuar epërsi prej tetë pikësh, të cilën e kishte nëntë xhiro para fundit. Në fund Manchester City kishte pesë pikë më shumë se Arsenali në garën për titull në Premier League.
Edhe
Xhaka ende i matur, merr shembull epërsinë që kishte Arsenali
Kjo traumë nuk e lejon Xhakën që të fillojë të ndihet i sigurt. Ajo përvojë ka lënë shenjë të thellë.
“Nuk është e lehtë që atë ndjenjë ta përshkruash me fjalë, kur ke qenë përpara për kohë aq të gjatë dhe sërish nuk e ke fituar titullin. Shpresoj shumë se kjo nuk do të ndodhë sërish”, ka theksuar Xhaka.
Po të mos ishte trauma personale te Arsenali, Xhaka ndoshta do të dërgonte ndonjë shenjë te Bayerni.
“Ende i kemi nëntë ndeshje. Asgjë nuk është fituar ende. Duhet të vazhdojmë me përkushtim si deri më tani. E dimë që javët që vijnë do të jenë shumë të rëndësishme”.
Mesfushori është i koncentruar te paraqitja e Leverkusenit. Nuk i intereson se si luan Bayerni.
Edhe
Bayerit i duhet lokomotiva, por Xhaka duhet të jetë i sinqertë me veten
“Nuk kemi shikuar të tjerët deri më sot, vetëm veten. Kjo nuk ka të bëj me arrogancë. E meritojmë të jemi në pozitën që e mbajmë aktualisht. Për sa kohë e kryejmë punën tonë nuk kemi pse të brengosemi për rezultatet tjera. Sa më pak ndeshje të ketë, më mirë do të jetë për ne”.
Kujdesi i Xhakës nuk bën të përzihet me bindjen për forcën e tij.
“Nëse nuk keni besim, atëherë jeni në sportin e gabuar”, ka thënë Xhaka, duke iu referuar serisë së Bayer Leverkusenit prej 36 ndeshjeve pa humbje.
Xhaka është pyetur edhe për Arsenalin, që mbeti lider në Premier League pas barazimit 1:1 të Liverpoolit me Manchester Cityn.
Edhe
Paraqitja e Xhakës vlerësohet brilante, ai flet për ndeshjen me Bayernin
“Natyrisht se jam i lumtur për ish-ekipin, ku kalova shtatë vjet të shkëlqyer. Për fat të keq nuk ia dolëm vitin e kaluar. Shpresoj se do të funksionojë këtë herë. Te Arsenali po bëjnë punë të shkëlqyer. Kanë fituar tetë ndeshje së fundi. Duhet të vazhdojnë me këtë punë”.
Trauma e Xhakës për titull në mënyrë ideale do të kalohej me tituj të dyfishtë, të Bayer Leverkusenit dhe Arsenalit.