Peng Shuai është mirë dhe ajo do të dalë shumë shpejtë në publik, ka thënë kryeredaktori i “Global Times”, Hu Xijin, i cili shpërndau fotografi të publikuara nga Shen Shiwei, i cili sipas raportimeve të mediave të huaja, është i afërt me regjimin komunist të shtetit.
Por, askush nuk e di nëse tri fotot e postuara nga Shiwei në “Twitter” janë bërë më herët, apo janë të gjendjes aktuale të tenistes.
Ish-numri një i botës së tenisit në dyshe nuk është parë apo dëgjuar qëkur postoi në rrjetet sociale më herët gjatë këtij muaji se është ngacmuar seksualisht nga ish-zëvendëspresidenti i Kinës, Zhang Gaoli.
As Zhang e as Qeveria kineze nuk i kanë komentuar akuzat e saj në postimin që u fshi shpejtë nga rrjetet sociale.
Kryeredaktori i “Global Times” thotë se gjithçka është në rregull me të.
“Mund të konfirmoj se burimet e mia tregojnë për gjendjen aktuale të Peng Shuait. Në ditët e kaluara, ajo qëndroi në shtëpi e lirë dhe nuk ka dashur të jetë e shqetësuar. Ajo do të dalë në publik dhe do të marrë pjesë në disa aktivitete së shpejti”, ka shkruar Xijin në “Twitter”.
Edhe
Federata botërore e shqetësuar për tenisten kineze Peng Shuai
Kombet e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shfaqur shqetësime me zhdukjen e tenistes kineze, dhe kanë kërkuar nga Qeveria kineze fakte për gjendjen dhe sigurinë e saj.
Shoqata e Tenisit të femrave ka kërcënuar Kinën që ta përjashtojë nga të gjitha garat deri sa të merret vesh për gjendjen e tenistes Peng Shuai.