Sulmuesi i krahut, Emir Sahiti që është pjesë e Hajdukut të Splitit ka vendosur t’i bashkohet Përfaqësueses së Kosovës.
Lajmi është bërë i ditur të martën nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK). Në njoftimin e FFK-së, thuhet se Sahiti pas takimit me presidentin Agim Ademi, e ka nënshkruar shkresën për ta kompletuar dokumentacionin e nevojshëm për t’u paraqitur me fanellën e Kosovës.
Këtë edicion, Sahiti ka shënuar dy gola dhe ka bërë po aq asistime në 18 paraqitje për skuadrën e Hajdukut të Splitit. Ai në të shkuarën ka luajtur për Shpresat e Shqipërisë, ndërsa tani ka premtuar se do të jap më të mirën nga vetja me fanellën e “Dardanëve”.
Gjithashtu, Sahiti ka thënë se ndihet i nderuar që i është dhënë mundësia për ta dhënë kontributin e tij te Kosova.