Azem Ahmeti është shquar për paraqitjet në futbollin e Kosovës. Ka fituar shumë trofe gjatë karrierës së gjatë si mesfushor.
Si futbollist, Ahmeti nuk kishte rastin ta prezantonte Kosovën në ndonjë ngjarje ndërkombëtare. Por do ta ketë rastin ta prezantojë Kosovën si trajner. Madje në sport tjetër.
Azem Ahmeti është zgjedhur trajner i Kosovës në teqball. Përfaqësuesja e Kosovës në teqball do të garojë në Lojërat Evropiane që mbahen në Poloni prej 21 qershorit deri më 2 korrik.
Ahmeti në Lojërat Evropiane do t’i udhëheqë Adrien Ukën dhe Krenar Eminin.
Teqballi luhet me këmbë dhe kokë në tavolinë të përafërt me atë të pingpongut. Kombinon elemente të futbollit dhe pingpongut.
“Po shpresoj ta bart gjithë përvojën time dhe në aspektin teknik, gjë që është edhe bazë e kësaj loje. Uroj që ndihma ime të jetë prezente dhe do të jetë ajo që sportistët tanë i avancon sa më shumë, por edhe ta prezantojmë vendin tonë sa më mirë”, ka thënë Ahmeti për KOHËN.
Kosova ka fituar të drejtën e garimit në Lojërat Evropiane falë pozitës së Ukës në ranglistën botërore të teqballit. Ai është i 26-ti. Falë Ukës pjesëmarrja i është mundësuar edhe Krenar Eminit. Të dy do të garojnë në disiplinën individuale dhe në çifte.
“Në këtë disiplinë sportive shpresojmë ta përfaqësojmë sa më mirë Kosovën në Lojërat Evropiane, pasi në nivel botëror ka garues me teknikë të mirë. Nuk e dimë se me kënd do të përballemi, por do ta japim maksimumin për të arritur vendin e parë, dytë apo tretë”, është shprehur Ahmeti.
Adrien Uka karrierën e zhvillon në Francë, ndërsa prej dy vjetësh përfaqëson Kosovën në garat ndërkombëtare të teqballit. Emini ka marrë pjesë në garat ndërkombëtare gjatë këtij viti dhe është duke kërkuar përvojën në gara të nivelit serioz.
“Për mua është fat të jem selektori i parë i teqballit të Kosovës. Kemi arritur të kualifikohemi në Lojërat Evropiane falë teqballistit tonë Adrien Uka i cili ka arritur renditje të mirë dhe gjendet në vendin e 26-të. Ai është në Francë dhe na është falur edhe një kuotë për të marrë pjesë me dy sportistë të teqballit. Bëhet fjalë për Krenar Eminin i cili karrierën e zhvillon në Gjermani. Do të marrim pjesë në individuale dhe çifte”, thotë Ahmeti.
Ahmeti është shquar për teknikën që kishte si mesfushor. Teknika është edhe baza e sportit të teqballit.
Me Prishtinën, ku për një kohë ka qenë edhe kapiten, ka fituar pesë tituj të kampionit.
Ahmeti ka thënë se si sport i ri që është, karriera në teqball i ka vështirësitë e veta. Teqballi veçse ka filluar të organizohet dhe ka katër klube që garojnë në nivelin e Kosovës.
“Nuk është një sport që nuk mund të perceptohet. Unë si trajner po mundohem që edhe në këtë disiplinë t'i barti njohuritë tek të rinjtë që dëshirojnë të merren me këtë sport”, thotë Ahmeti.
Ai ka shtuar se duhet teknikë e mirë dhe sportistët që nuk e gjejnë veten në futboll, mund të merren me teqball.
Teqballi është sport me top që luhet në tavolinë të lakuar. Loja zhvillohet me gjitha pjesët e trupit, përveç krahëve dhe duarve. Një numër i madh i futbollistëve të nivelit ndërkombëtar që janë tërhequr janë angazhuar në teqball.
Teqballi u shpik në vitin 2012 në Hungari.
Kosova në Lojërat Evropiane do të prezantohet me dhjetëra sportistë.