Të dielën ka nisur grumbullimi i Përfaqësueses së Shqipërisë në futsall (futboll të sallës). Dhe është konfirmuar ajo që dihej tashmë – se në Përfaqësuesen e Shqipërisë janë të prezantuara denjësisht edhe Kosova dhe shqiptarët nga Maqedonia e Veriut.
Si në asnjë përfaqësuese apo ekip tjetër shqiptar, në Përfaqësuesen e futsallit, prezantimi i tri vendeve është i madh.
Seleksionuesi Erind Resuli ka ftuar 14 lojtarë për ndeshjet e këtij muaji. Në mesin e tyre ka lojtarë që luajnë në Shqipëri, në Kosovë e në Maqedoni të Veriut. Ka lojtarë edhe të klubeve të huaja, e që janë me prejardhje nga Kosova e Shqipëria.
Seleksionuesi Resuli ka ftuar Mentor Mejzinin e Prishtina 01, Halim Selmanajn e Liburnit të Gjakovës, Shqipron Brahimin e Liqenit të Drenasit. Janë në ekip edhe Kemal Gashi i Llapit, Narcis Alibegu i Prishtina 01, Ermir Kryeziu i Liburnit dhe braziliani i natyralizuar Cristiano da Silva Cardoso i FC Prishtina. Alban Shiba e Endrit Kaca janë të Tiranës, Roald Halimi i Sportin Altamarca, Azem Brahimi i Sparta Pragës e Arbër Shkodra i Schaerbeekut. Shkupin e prezantojnë mbrojtësi Ylber Alili dhe Eljesa Neziri.
Shqipëria luan më 7 prill ndaj Kroacisë në Tiranë, ndërsa katër ditë më vonë përballet në udhëtim me Ukrainën. Janë këto ndeshje të kualifikimeve për Euro 2022.
Shqipëria është në fazën grupore të kualifikimeve, ku nuk ka arritur Kosova.
Shqipëria pësoi 4:1 nga Kroacia, 10:3 nga Ukraina dhe 3:1 nga Danimarka. Më 4 mars Shqipëria ka fituar 3:2 ndaj Danimarkës, me golat e Selmanajt (2) dhe Halimit.
“Kemi lojtarë nga tri trevat shqiptare, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. I prezantojmë të gjitha trevat shqiptare ashtu si është më së miri”, ka thënë Mentor Mejzini, njëri prej lojtarëve më të mirë që ka pasur ndonjëherë futsalli kosovar.
“Grupi i lojtarëve është shumë i mirë. Raportet mes lojtarëve janë të shkëlqyera. Atmosfera është e mirë dhe kemi një trajner shumë të mirë me Erind Resulin. Ai na mban shumë të bashkuar, na jep vazhdimisht motiv të madh. Për këtë herë pas here kemi pasur rezultate të mira. Por nuk do të ndalemi derisa të kualifikohemi në kampionat evropian”, ka shtuar Mejzini.
Është grumbulluar edhe Përfaqësuesja e Kosovës, që do t’i luajë dy miqësore me Holandën.