Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

EJU-ja e impresionuar me Evropianin në Prishtinë: Do të shihemi vitin tjetër

Kampionati i Hapur Evropian i Xhudos ishte tregim plotësisht i suksesshëm. Xhudoja e shfaqur ishte e nivelit të lartë, shikues kishte shumë, ndërsa xhudistët shfaqën emocione që ndezën atmosferën në palestrën e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Gjasat janë të mëdha që Kosova edhe vitin tjetër të organizojë ngjarje të rëndësishme të xhudos. Këtë e kanë pranuar edhe drejtues të Unionit Evropian të Xhudos. Thuajse të gjithë drejtuesit e EJU-së ishin të shtunën në Prishtinë dhe ata mbetën të impresionuar me organizimin dhe shfaqjen e xhudos.

Prania e presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti është çmuar nga drejtuesit e EJU-së.

“Fakti që xhudoja është sporti numër një në Republikën e Kosovës nuk duhej t’i shpjegohej asnjë spektatori apo mysafiri të huaj. Kjo kuptohet pa u thënë. Prania e figurave të tilla politike ishte e veçantë”, ka thënë nënpresidenti i parë i EJU-së, Otto Kneitinger pas fundit të kampionatit.

EJU-ja ka shkruar gjatë të dielën për organizimin e Evropianit të Hapur në Prishtinë. Një ngjarje e tillë, ku xhudistët kanë garuar vetëm në një kategori dhe xhudistet në një kategori, është mbajtur për herë të parë.

Edhe Xhudoja, imazhi i Kosovës në botë Sport Xhudoja, imazhi i Kosovës në botë

Fondi shpërblyes ishte plot 300 mijë euro dhe kjo është e jashtëzakonshme për një garë të xhudos. Akil Gjakova fitoi të artën dhe po ashtu 55 mijë euro. Medalje të bronzta fituan Dardan Cena, Nora Gjakova e Distria Krasniqi.

“Organizimi për herë të parë i kësaj ngjarjeje ishte kulmor nga Kosova. Atmosfera e pakrahasueshme, ndërsa shpërblimi financiar prej 300 mijë euro i jashtëzakonshëm. Mund t’u premtoj, në koordinim me presidentin e EJU-së: DO TË KTHEHEMI VITIN TJETËR”, ka shtuar Kneitinger.

EJU-ja ka paraqitur programin “Kosova shtet i xhudos”, investimet që janë bërë dhe që planifikohen të bëhen. Gjitha këto janë meritë e sukseseve që i ka arritur trajneri Driton Kuka dhe nxënësit e tij. Ndër të tjera ata kanë tri medalje të arta olimpike.

“Një format i ri, një organizator i ri – Kampionati i Hapur Evropian në Prishtinë ishte sukses i plotë në të gjitha drejtimet”, ka thënnë tutje Otto Kneitinger.

Agron Kuka është po ashtu shumë meritor për rritjen e profilit të Kosovës në EJU. Ai është president i Federatës së Xhudos së Kosovës dhe po ashtu anëtar i Komitetit Ekzekutiv të EJU-së.

Edhe Agron Kuka edhe një mandat në Komitetin Ekzekutiv të Federatës Evropiane të  Xhudos Luftarake Agron Kuka edhe një mandat në Komitetin Ekzekutiv të Federatës Evropiane të Xhudos

“Ne jemi shtet i xhudos. Këtë e dëshmuam me katër medaljet e fituara. Nuk kemi pritur sukses kaq të madh”, ka thënë Agron Kuka.

Kosova për herë të parë organizoi ngjarje të madhe të xhudos. Përkundër palestrës me shumë defekte, organizimi u vlerësua me nota maksimale.