Shkodran Mustafi pritet që edicionin e ardhshëm të luajë në Bundesligë, me fanellën e skuadrës së Frankfurtit.
Sipas “Sky Sports”, Eintracht Frankfurti është favorit për të siguruar shërbimet e Mustafit, i cili po dëshiron të luajë në futbollin gjerman për të qenë më afër familjes së tij, transmeton KOHA.
Mustafi ka kontratë me Arsenalin deri në fund të këtij edicioni dhe mësohet se nuk ka pranuar rinovimin e kontratës edhe për dy vitet e ardhshme për shkak se është i vendosur të largohet nga Londra.
Ai te Frankfurti mund të transferohet si futbollist i lirë dhe ekipi gjerman është i gatshëm t’i ofrojë kontratë katërvjeçare.
Mustafi 28-vjeçar, muaj më parë është rikthyer nga lëndimi dhe këtë edicion ka regjistruar katër paraqitje për Arsenalin në të gjitha garat. Ai te Arsenali u transferua në vitin 2016 nga Valencia kurse karrierë ka bërë edhe te skuadra e Sampdorias.
Kohët e fundit, interesim për transferimin e Mustafit kanë shprehur edhe Lazio, Roma e Barcelona. Ai gjithashtu ka 20 paraqitje dhe dy gola të shënuara me Përfaqësuesen e Gjermanisë, me të cilën ka fituar titullin e Botës në vitin 2014.