Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Egnatia largohet me kokën lartë, Interi fiton 4:2

Egnatia e Rrogozhinës ka luajtur një miqësore të veçantë të dielen mbrëma. Në Ferrara, Egnatia u takua me Interin, finalistin e Ligës së Kampionëve. Interi i Milanos fitoi 4:2, por Egnatia u paraqit me shumë dinjitet.

Lojtarët e skuadrës shqiptare u duartrokitën në fund të ndeshjes. Raphael Dwamena kaloi Egnatian në epërsi në minutën e gjashtë. Nicolo Barella barazoi rezultatin në 1:1 në minutën e 55-të. Sërish skuadra shqiptare kaloi në epërsi. Në minutën e 68-të, Fernando Medeiros realizoi nga pika e bardhë për 2:1.

Lautaro Martinez shënoi për 2:2 në minutën e 80-të dhe për 3:2 në të mirë të Interit në minutën e 83-të. Golin e dytë e shënoi nga pika e bardhë. Në minutën e 90-të Giacomo Stabile shënoi golin e katërt për Interin.

Interi e mori seriozisht miqësoren me Egnatian, që tashmë është prej skuadrave kryesore në Shqipëri. Të shtunën miqësore luajti Partizani me Romën.