Sport

Edhe një medalje e Majlindës në rrugën drejt Tokios

Prishtinë, 18 shkurt – Edhe një medalje e ka fituar kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi, në rrugën e saj drejt Tokios. Majlinda të enjten ka garuar në Grand Slamin e xhudos në Tel Aviv dhe në fund të ditës zuri vend në podium. U rendit e treta, pas britanikes Chelsie Giles dhe izraelites Gili Cohen. Finalen e fitoi Giles, që befasinë e madhe e bëri në gjysmëfinale, duke e eliminuar pikërisht Majlindën.

E enjtja nuk ishte ditë e lehtë për kampionen kosovare. Por, edhe në një ditë të vështirë, prej më të vështirave në periudhën e fundit sa u takon garave, ajo fitoi medalje. Po ashtu, i fitoi 500 pikë të rëndësishme për renditjen olimpike, që pritet t’i shërbejnë shumë.

Në Grand Slamin e Tel Avivit po marrin pjesë 422 xhudistë nga 60 vende të ndryshme. Majlinda ishte bartësja e parë në kategorinë deri 52 kilogramë, pasi ishte e ranguara më së larti prej xhudisteve pjesëmarrëse. Raundin e parë e kaloi pa luftë, ndërsa në të dytin e mposhti gjermanen Annika Wurfel. Por, në luftë ndaj gjermanes u pa se xhudistja pejane nuk është në formën optimale.

Wurfel realizoi hedhje për “Waza-ari” që në fillim. Më pas, Majlinda rreshtoi sulmet dhe po ashtu mori “Waza-ari”. Lufta shkoi në “Golden Score” (kohë shtesë). Ndërkohë, Wurfel pësoi edhe dënimin e tretë dhe kështu Majlinda fitoi me Ippon.

Në çerekfinale ndaj ruses Alesya Kuznetsova, Majlinda sërish fitoi vetëm në kohën shtesë. Realizoi aksion për “Ippon”.

Edhe gjysmëfinalja me britaniken Giles u vendos në Golden Score. Por, këtë herë Giles realizoi hedhje dhe kaloi në finale. Për vend të tretë Majlinda fitoi pa luftë, pasi xhudistja e Belgjikës, Charline Van Snick, nuk doli në tatami për shkak të një lëndimi.

Pikët e fituara pritet t’i shërbejnë Majlindës për përmirësimin e pozitës së saj për Lojërat Olimpike që mbahen këtë verë. Forma e saj, megjithatë, pritet të jetë më e lartë se në garën e së enjtes. Asnjë prej xhudisteve që garuan të enjten nuk i afrohen Majlindës për nga niveli.

“Një ditë jo e lehtë. Por, medalja është e vlefshme e po ashtu edhe pikët për renditjen olimpike. Këtë herë është medalje e bronztë, por me shumë peshë në rrugëtimin tonë drejt Lojërave Olimpike në Tokio”, ka thënë për KOHËN trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.

Për rejtingun që ka Majlinda, humbja në gjysmëfinale nuk ishte shumë e pritur. Edhe Olympic Channel ka shkruar për humbjen befasuese të Majlindës në gjysmëfinale.

“Kelmendi e Kosovës ishte favorite e madhe në luftë, por nuk ka pasur përgjigje për Ipponin e shpresës së Britanisë së Madhe, gjatë periudhës Golden Score. Giles vazhdoi formën e mirë edhe në finale, ku e mposhti favoriten lokale, Gili Cohen, për triumfin e parë në garat Grand Slam”, ka shkruar Olympic Channel.

Në Tel Aviv do të garojnë edhe Akil Gjakova e Laura Fazliu. Ata në tatami dalin të premten. Ndërkohë, shpresat e Kosovës për medalje olimpike, Distria Krasniqi, Nora Gjakova e Loriana Kuka, kanë pushuar nga kjo garë.