Sport

Historia e medaljeve të Kosovës në Kampionatet Botërore të xhudos

Majlinda Kelmendi do të jetë e angazhuar si trajnere në Kampionatin Botëror të xhudos që të dielën fillon në Doha të Katarit.

Xhudistët e Kosovës do të fillojnë me gara të hënën, kur në tatami do të dalin garuesit e kategorisë deri 66 kilogramë dhe garueset e kategorisë deri 52 kilogramë.

Kategoria deri 52 kilogramë dikur njihej si kategoria e Majlindës. Ndër të tjera, për suksesin që ka arritur ajo në kampionate botërore. Majlinda i dha fund karrierës si xhudiste pas Lojërave Olimpike të Tokios. Menjëherë iu bashkua Driton Kukës në stafin e trajnerëve.

Suksesi i Majlindës në Kampionate Botërore megjithatë mbetet unik. Ajo fitoi titullin e parë të botës në Rio de Janeiro të Brazilit, një dekadë më parë, në vitin 2013. Në finale kishte triumfuar ndaj xhudistes braziliane, Erika Miranda, që kishte përkrahjen e madhe të shikuesve.

E arta botërore në Rio erdhi gjatë një serie të jashtëzakonshme të Majlindës. Ajo shkëlqeu në vitet 2013 e 2014. Titull tjetër të botës fitoi në Chelyabinsk të Rusisë në vitin 2014. Në finale e mposhti rumunen Andreea Chitu.

Majlinda e ka edhe një medalje të bronztë botërore. Atë e fitoi në vitin 2019 në Tokio. Për të bronztën e mposhti Joana Ramosin e Portugalisë. Në gjysmëfinalen shumë të fortë kishte pësuar nga japonezja Uta Abe, që vazhdon të vlerësohet fenomen i xhudos. Një japoneze tjetër, Ai Shishimen, e kishte mposhtur në çerekfinale.

Majlinda Kelmendi, natyrisht, nuk është e vetmja xhudiste e Kosovës që ka fituar medalje botërore për të rriturit. Distria Krasniqi i ka dy medalje. Në vitet 2019 e 2022 fitoi medalje të bronzta. Në Tokio në vitin 2019, ishte e treta në kategorinë deri 48 kg. Vjet në Tashkent të Uzbekistanit fitoi bronzin në kategorinë deri 52 kg.

Medalja botërore është edhe në koleksionin shumë të pasur të Nora Gjakovës. Ajo fitoi medaljen e bronztë në Botërorin e vitit 2021 në Budapest. E treta ishte në kategorinë deri 57 kilogramë, ku atë vit fitoi edhe medaljen e artë olimpike.

Loriana Kuka i takon po ashtu grupit elit me medalje botërore për seniorë. Ajo ishte e treta në Botërorin e mbajtur në vitin 2019 në Tokio. Vend në podium zuri për garën në kategorinë deri 78 kilogramë.

Distria, Nora e Loriana kërkojnë medalje edhe në Doha, javën tjetër. Ndërkohë medaljet e para në Botërorin për të rritur i synojnë edhe Akil Gjakova e Laura Fazliu. Me ëndrra për sukses në Doha garojnë edhe Erza Muminoviq e Flaka Loxha.

Në Botërorin në Doha garojnë plot 658 xhudistë nga 99 shtete të ndryshme.

Gjasat janë të mëdha që medalje të tjera të shtohen në listën e sukseseve të jashtëzakonshme të xhudistëve të trajnerit Driton Kuka.