Kampionia olimpike Majlinda Kelmendi është “kthyer” për të garuar në xhudo. Të dielën, në ditën e tretë dhe të fundit të Grand Slamit të xhudos në Paris, Majlinda u paraqit në një aktivitet të veçantë të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF).
Ishte Komisioni i Fëmijëve i IJF-së që organizoi një aktivitet që për qëllim ka joshjen e fëmijëve që të merren me xhudo. Disa prej legjendave të xhudos, duke përfshirë Majlindën, kanë inskenuar një garë ekipore të përzier, me disa fëmijë.
Duelet madje janë komentuar nga komentatorët e rregullt të IJF-së, ndërsa atmosfera në arenën “Bercy”, ku ishin mbi 15 mijë shikues, ishte shumë e bukur.
Majlinda ishte në ekipin e Legjendave së bashku me emrat e papërsëritshëm të xhudos si Ilias Iliadis e Lucie Decosse dhe disa fëmijë. Në ekipin tjetër, Heronjtë, pos fëmijëve ishin edhe Lasha Shavdatuashvili e Clarisee Agbegnenou.
Në këtë aktivitet të rrallë, Majlinda doli e para në tatami, ndërsa përballë e kishte Emma Lapierren. Kundërshtarja e Majlindës natyrisht shënoi fitore.
Pasi përfunduan të gjitha “përballjet”, në tatami dolën të gjithë pjesëmarrësit dhe të gjithë fëmijët përnjëherë fituan me Ippon.
Paraqitja e Majlindës në këtë aktivitet është çmuar nga IJF-ja.
“Në emër të Komisionit të Fëmijëve të IJF-së dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë të përzemërt për angazhimin tuaj dhe shfaqjen e mahnitshme të vlerave gjatë pjesëmarrjes tuaj në ngjarjen e fëmijëve në Paris. Ishte një moment i bukur që do të mbahet mend përgjithmonë, duke treguar vlerat thelbësore të xhudos dhe duke demonstruar se xhudo është për të gjithë. Të falënderojmë për kontributin tuaj shumë të çmuar”, shkruan në letrën që Komisioni i Fëmijëve i IJF-së ia ka dërguar xhudistes legjendare kosovare.
Majlinda në Grand Slamin e Parisit ishte e angazhuar si trajnere. Ka udhëhequr thuajse gjysmën e ekipit të Kosovës prej tetë xhudistëve. Pas Lojërave Olimpike të Tokios, Majlinda ka nisur punën si trajnere dhe po merr përgjegjësi gjithnjë e më të mëdha nga kryetrajneri i Kosovës, Driton Kuka.
Në Paris, Kosova kishte një medalje të artë, një të bronztë, një vend të pestë dhe një të shtatë.
Majlinda është prej xhudisteve më të vlerësuara nga IJF-ja dhe po ashtu prej më të mirave në histori. Lista e sukseseve të saj është shumë e gjatë.