Massimiliano Allegri ka përforcime për ndeshjen vendimtare të Juventusit ndaj Villarrealit në Ligën e Kampionëve, pasi konfirmoi të martën se do t’i ketë në dispozicion Paulo Dybalan, Giorgio Chiellinin e Federico Bernardeschin që janë kthyer nga lëndimi. Juventusi e pret fituesin në fuqi të Ligës së Evropës, Villarrealin në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales së Championsit që luhet të mërkurën mbrëma në “Allianz Stadium” prej orës 21:00. Dueli i parë mes këtyre ekipeve, i luajtur në Spanjë, kishte përfunduar 1:1 dhe rikthimi i lojtarëve kryesorë është një nxitje për Juventusin, që javët e fundit është përballur me një listë të gjatë lëndimesh. Trajneri i Juventusit, Allegri pranoi se treshja e rikthyer do t’i japë atij më shumë opsione për duelin ndaj Villarrealit, të cilin e vlerësoi si shumë të rëndësishëm. Ai pranoi se synimi i Juventusit është kalimi në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve.
“Le të shpresojmë se mund të fitojmë dhe ta mbyllim ndeshjen brenda 90 minutave, sepse në të kundërtën do të na duhen 120 minuta dhe zëvendësimet do të jenë vendimtare. Chiellini, Dybala e Bernardeschi kanë pauzuar dhe tashmë janë kthyer. Kështu që ata mund të jenë zëvendësues cilësorë dhe të duhur për ne që ta fitojmë ndeshjen”, tha Allegri në konferencën për shtyp.
Leonardo Bonucci, Alex Sandro e Denis Zakaria nuk kanë arritur të rikuperohen, por Allegri insistoi se ka fond të mjaftueshëm të futbollistëve. Sulmuesi Dushan Vllahoviq, i cili i ka dhënë Juventusit një dimension të ri prejse u transferua në janar, do të jetë startues, me shumë gjasa përkrah Alvaro Moratas, i cili ka treguar një formë të mirë në ndeshjet e fundit.
“Më gëzon forma e mirë e Moratas, i cili na ndihmon shumë përpara. Me Vllahoviqin si partner në sulm, Morata do të mund të lëvizë më shumë nëpër fushë. Është një ndeshje e rëndësishme, por edhe e vështirë për shkak se Villarreali ka një ekip të mirë. Megjithatë, ne do të dalim për të fituar dhe vazhduar garën në Champions”.
Për dallim prej Allegrit, trajneri i Villarrealit, Unai Emery, nuk e di nëse do ta ketë në dispozicion sulmuesin e tij kryesor, Gerard Morenon. Emery ka thënë se nuk është i sigurt nëse Moreno do të luajë për shkak se sapo është rikthyer nga lëndimi. Moreno nuk ka luajtur që nga fillimi i muajit shkurt dhe Emery deri në ditën e ndeshjes do ta vlerësojë situatën e 29-vjeçarit.
Edhe
Dybala e Chiellini të gatshëm për Villarrealin
“Ai është stërvitur, por unë do të jem i kujdesshëm kur ta marr vendimin për ne. Ne do të dëshironim që ai të luante, por duhet ta vlerësoj situatën e tij deri para fillimit të ndeshjes”, ka pranuar Emery.
Trajneri spanjoll ka parasysh formën e mirë të Juventusit dhe thotë se ekipi i tij do të tregohet maksimalisht i kujdesshëm. Juventusi këtë vit është në formë fantastike, ndërsa në 21 ndeshjet e fundit ka vetëm një humbje në të gjitha garat. Aktualisht është në pozitën e katërt në Serie A, me shtatë pikë më pak se Milani që është lider. Në anën tjetër, Villarreali renditet i shtati në La Liga.
“Ne nuk duam të jemi vetëm si udhëtarë në Champions, por duam të vazhdojmë të luajmë. Të jesh në 1/8 e finales është e rëndësishme, por më shumë ka vlerë nëse kualifikohemi në çerekfinale. E kemi parasysh se Juventusi do ta kërkojë fitoren prej minutës së parë deri në të 90-n, por ne jemi ekip që mund ta përballojmë presionin. Do të jetë një ndeshje në të cilën mund të ndodhin shumë gjëra dhe të vendoset nga një detaj i vetëm, por ne jemi të përgatitur ta mbajmë kontrollin e lojës, që është gjë shumë e rëndësishme”, është shprehur Emery.
Të mërkurën prej orës 21:00 do të luhet edhe ndeshja tjetër e kthimit në kuadër të çerekfinales së Championsit. Kampioni në fuqi i Francës, Lille e pret kampionin aktual të Evropës, Chelsean, që ditët e fundit po e kalon periudhën më të vështirë pas sanksioneve ndaj pronarit Roman Abramovich. Dueli i parë mes këtyre dy ekipeve i luajtur në Londër ka përfunduar me rezultatin 2:0 për Chelsean. E te skuadra franceze po synojnë ta shfrytëzojnë këtë situatë të Chelseat për ta eliminuar.
“Unë besoj se mund ta shfrytëzojmë situatën aktuale në të cilën po kalon Chelsea. Është një ndeshje e paparashikueshme, por ne kemi edhe përkrahjen e tifozëve dhe mund të ëndërrojmë kalimin në çerekfinale. Ne po luajmë një ndeshje historike në stadiumin tonë, të cilën duam ta fitojmë. Do të japim 300 për qind nga vetja”, ka paralajmëruar trajneri i Lillet, Jocelyn Gourvennec.
Në duelin e parë në Londër, te Lille në minutat e fundit të ndeshjes u aktivizua edhe reprezentuesi i Kosovës, Edon Zhegrova.
E mërkurë (21:00)
Edhe
Allegri kërkon kujdes maksimal ndaj Torinos
Juventus – Villarreal
Lille – Chelsea