Sport

Dy ndeshje të zjarrta në Serie A

Interi do të luajë kundër Juventusit në Serie A, pas kalimit dramatik në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Kjo fundjavë e elitës së futbollit të Italisë pasurohet edhe me derbin e qytetit të Romës, me Lazion e Romën që synojnë vend në top-katërshe.

Inter – Juventus luhet të dielën prej orës 20:45 dhe e mbyll xhiron e 27-të të elitës italiane të futbollit.

Para këtij dueli zhvillohet derbi Lazio – Roma, që nis në orën 18:00.

Interi është në vendin e dytë në tabelën e Serie A, kurse ka 18 pikë më pak se lideri, Napoli.

Ndërkohë, ka vetëm tri pikë më shumë se skuadra e vendit të pestë, Roma.

Roma ka dy pikë më pak se Lazio i vendit të tretë, ndërsa Milani është i katërti me 48 pikë.

Juventusi ka ngecur pas heqjes së 15 pikëve dhe momentalisht ka 38 pikë në vendin e shtatë.

Interi nuk ka qenë shumë bindës në rezultate këtë edicion, por ka dhuruar herë pas here ndeshje të mëdha.

E fundit ishte ajo e të mërkurës pa gola në udhëtim te Porto, ndërsa siguroi vend në çerekfinale të “Championsit” për herë të parë që prej vitit 2011.

Juventusi paraqitet në ndeshjen që zhvillohet në stadiumin “Giuseppe Meazza” pas kalimit në çerekfinale të Ligës së Evropës.

Ka hasur disa herë në vështirësi këtë edicion, por seria e pesë fitoreve në gjashtë ndeshjet e fundit, ka siguruar ngritje në tabelë për skuadrën që udhëhiqet nga Massimiliano Allegri.

Allegri edhe në këtë takim nuk do ta ketë Paul Pogban.

Pogba ka zhvilluar vetëm 35 ndeshje qëkur u rikthye te “zonja e vjetër” nga Manchester Unitedi në verën e kaluar.

Kampioni në fuqi i Italisë, Milani, luan në udhëtim tek Udinese, të shtunën nga ora 20:45.

Napoli do të luajë në udhëtim te Torino, të dielën nga ora 15:00. Napoli synon që me fitore ta vazhdojë momentin e mirë.