KHF Ferizaj është themeluar vetëm në vitin 2018, ndërsa më herët këtë vit arriti sukses të madh duke fituar titullin e kampionit të Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave. Por se sa dallon gara vendore me atë ndërkombëtare, Ferizaj ka mundur të kuptojë që në debutim.
Skuadra ferizajase ka pësuar dy humbje të thella në kuadër të raundit të tretë të Kupës Evropiane, që është niveli i tretë i garave evropiane. Në fundjavë në Antalya të Turqisë, Ferizaj i luajti dy ndeshje me skuadrën turke Muratpasha.
Vetë fakti se u pajtua që dy ndeshjet t’i luaj si mysafir, dëshmon se Ferizaj nuk kishte pretendime të mëdha në Evropë. Skuadrat pajtohen të luajnë dy ndeshjet në udhëtim ose kur janë superiore ndaj rivalit ose kur vlerësojnë se gjasat janë minimale për avancim tutje.
Ferizaj të shtunën pësoi 40:15, që është rezultat shumë i lartë. Ndërkohë ndeshja e së dielës, që më shumë ishte formalitet, përfundoi 32:16 në të mirë të skuadrës turke Muratpasha.
Ferizaj duhet të pret rast tjetër për fitoren e parë në skenën evropiane.