Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Dy futbollistë spanjollë përballen me burg për përdhunim

Gjyqi për përdhunim që përfshin sulmuesin e Celta Vigos, Santi Mina dhe një tjetër futbollist spanjoll, u mbyll të premten me të dy futbollistët që shprehën pafajësinë e tyre, ka shkruar AP. Prokurori i shtetit kërkoi tetë vjet burg për Minan, ndërsa vetë avokatët e viktimës së dyshuar kërkojnë 9 vjet e gjysmë.

David Goldar, i cili luan për klubin e Ibizas, akuzohet si bashkëpunëtor i MInas. Avokati i femrës kërkon katër vjet e gjysmë burg për të. Vendimi pritet në javët e ardhshme, tha zyra e shtypit të gjykatës. Vendimi i gjykatës më të ulët mund të apelohet në Gjykatën e Lartë të Spanjës.

Femra akuzoi Minan se e kishte përdhunuar në një furgon kampi, ku kishte shkuar me Goldarin. Avokati i saj tha se Goldar nuk bëri asgjë për ta ndaluar Minan që ta përdhunonte. Incidenti ndodhi në provincën jugore spanjolle të Almeria në vitin 2017. Dy lojtarët thonë se femra pranoi të ketë marrëdhënie seksuale me ta.

Në momentin e incidentit, Mina ishte duke luajtur për Valencian. Sulmuesi 26-vjeçar që atëherë është kthyer në klubin e tij të fëmijërisë në Vigo. Celta pret Real Madridin të shtunën.

Trajneri i Celtas, Eduardo Coudet tha të premten se Mina do të jetë në skuadrën e tij kundër Realit.

“Kush mund të gjykojë një person tjetër? Derisa sistemi i drejtësisë të thotë të kundërtën, ne jemi të gjithë të pafajshëm”, tha Coudet. “Unë fola me Minan për të parë se si po kalonte dhe do të flas përsëri me të kur ta shoh. Ai është një lojtar i rëndësishëm dhe do të jetë në skuadrën tonë ndaj Realit”.