Sport

Dukagjini përforcohet me Halitin e Nezirin, por është afër edhe 4 nënshkrimeve tjera

Foto: KSP

Skuadra e posa inkuadruar në Superligën e Kosovës, Dukagjini, po vazhdon të forcohet për stinorin e ardhshëm.

Dukagjini deri më tani ka bërë disa transferime ku së fundi tek skuadra janë parë edhe Denis Haliti, i cili sezonin e kaluar mbrojti ngjyrat e Dritës, dhe Flamur Neziri që ishte pjesë e Flamurtarit.

Këto transferime për KosovaPress i ka konfirmuar edhe vet trajneri Xhengiz Rexhepi.

“Po, kemi transferuar edhe Denis Halitin nga Drita si dhe Flamur Nezirin nga Flamurtari”, tha fillimisht ai.

Ai vazhdoi duke pohuar se Dukagjini do të vazhdojë të përforcohet ende edhe me disa lojtarë.

“Jemi në bisedime edhe me katër lojtarë të tjerë të cilët shumë shpejt do të nënshkruajnë me klubin pasi që jemi shumë afër marrëveshjes me ta”, përfundoi Rexhepi.

Ai nuk deshi të tregojë emra pasi që u shpreh se një gjë e tillë do të zbulohet në momentin kur të bëhet gjithçka zyrtare

Kujtojmë që Dukagjini u inkuadrua në Superligë këtë edicion pasi u rendit e dyta në Ligën e Parë.