Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Dukagjini e Drita përballen për vend në gjysmëfinale

Drita ka mbetur pak prapa Ballkanit e Llapit në garën për titull të kampionit të Kosovës në futboll. Fundjavën e kaluar skuadra gjilanase pësoi humbje të rëndë në udhëtim nga Fushë Kosova. Të mërkurën Drita ka tjetër ndeshje të vështirë. Luan në Klinë ndaj Dukagjinit, në çerekfinale të Kupës së Kosovës në futboll.

Ndeshja Dukagjini – Drita zhvillohet prej orës 13:00 në stadiumin “18 Qershori”. Derisa në kampionat Drita do të ketë raste të tjera, në garën për Kupë nuk i falet gabimi. Çerekfinalja është me vetëm një ndeshje. Gara për Kupë është rruga më e shkurtër për në Evropë, por duhet t’i shkohet deri në fund.

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, e di që ndeshja me Dukagjinin do të jetë e vështirë.

“Në Kupë nuk ka favorit. Këtë e di nga përvoja që kam si lojtar dhe si trajner. Ndodhin befasitë, por nuk do të thotë që ne nëse eliminohemi dhe kualifikohet Dukagjini do të jetë befasi. Dukagjini ka skuadër të mirë, trajner cilësor dhe konkurrencë brenda grupit. Por ne shohim punën tonë. Synimi është të vazhdojmë të luftojmë për të dy trofetë, derisa na mundëson gara. Kemi reflektuar në stërvitje pas asaj që bëmë ndaj Fushë Kosovës. Kjo më jep besim të madh që ekipi do të jetë ashtu siç ishte pas disfatës me Llapin. Çdo humbje është e vështirë, na mërzit shumë. Mirëpo kur pas humbjes kemi ndeshje pas dy-tri ditësh, që ka peshë, është shumë më e lehtë për ne trajnerët për të rikthyer ekipin dhe për të përmirësuar atë që kemi lëshuar në takimin e fundit”, ka thënë Ramadani të martën në konferencë për shtyp.

Drita është e treta në tabelë me 43 pikë. Ballkani udhëheq me 48, ndërsa Llapi është i dyti me 47. Dukagjini mban vendin e gjashtë në Superligë me 30 pikë. Daljen në Evropë mund ta sigurojë përmes kampionatit, por edhe përmes Kupës. Fokusi aktualisht është te Kupa.

Edhe Drita bëhet gati për festë Futboll 2 muaj më parë Drita bëhet gati për festë

“Na pret një ndeshje e vështirë. Kemi zgjedhur rrugën që të dalim në Evropë përmes Kupës. Jemi përgatitur maksimalisht që të vazhdojmë në gjysmëfinale”, ka thënë futbollisti i Dukagjinit, Bujar Shabani. Ai ka lënë gjurmë te Drita.

“Ndeshja me Dritën gjithmonë do të jetë e veçantë. Kam kujtime të bukura, lidhje të veçantë me klubin, tifozët ‘Intelektualët’ dhe qytetin e Gjilanit. Mirëpo të mërkurën do të jetë vetëm kundërshtari i radhës”, ka theksuar Shabani.

Të mërkurën është edhe një ndeshje tjetër çerekfinale. Në Lipjan nga ora 13:00 takohen Prishtina e Trepça ’89. Prishtina është fituese në fuqi e Kupës dhe llogaritet favorite. Por pa gjasa nuk është as Trepça ’89. Kjo skuadër luan në Ligën e Parë, ndërsa xhiron e kaluar të Kupës e eliminoi Llapin në Mitrovicë.

Të enjten prej orës 13:00 janë ndeshjet Vjosa – Suhareka dhe Malisheva – Ballkani. Sfidë dramatike pritet të jetë ajo në Malishevë. Skuadra malishevase po kalon formë të lartë dhe do të bëjë përpjekje të ndalë rrugëtimin në Kupë të kampionit në fuqi, Ballkanit.

Çerekfinalet e Kupës së Kosovës

Edhe Prishtina e Gjilani luajnë për “Evropë” Futboll 3 muaj më parë Prishtina e Gjilani luajnë për “Evropë”

E mërkurë (13:00)

Prishtina – Trepça ‘89

Dukagjini – Drita

E enjte (13:00)

Edhe Finale për Evropë dhe histori Futboll 3 muaj më parë Finale për Evropë dhe histori

Vjosa – Suhareka

Malisheva – Ballkani