Te Drita i kanë hapur letrat. Nuk fshehin se po marrin para për t'u munduar të mposhtin skuadra të caktuara.
Drejtori i skuadrës kampione, Fisnik Kërçeli, thotë se skuadra ka pranuar premi për të ndalur Llapin dhe Prishtinën. Shton se do të pranojë premi, nëse i ofrohet, për të ndalur edhe Feronikelin.
Është tjetër nëse Drita ia del të marrë pikë apo jo. Për shembull, me Llapin humbi ngushtë në Podujevë 1:0, ndërkohë së fundi Prishtinën e ndali në Gjilan, në barazim 1:1. Në xhiron e radhës do të luajë me Feronikelin në Drenas, shkruan sot Koha Ditore.
Feronikeli, Llapi dhe Prishtina po luftojnë për titull dhe diferenca e pikëve mes tyre është fare e vogël. Titullin pritet ta vendosin duelet direkte mes këtyre skuadrave në tri xhirot e mbetura të Superligës, por mund të luajë rol edhe ndonjë skuadër tjetër, si Drita për shembull që ndali në barazim Prishtinën.
Kërçeli thotë se pranimi i premive nga skuadrat e treta është i ligjshëm dhe shton se skuadrës i duhet një motivim i tillë në kohën kur Drita nuk po lufton as për titull e as për mbetje në elitë.
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) pranon se dhënia e premive nga skuadrat e treta është e ligjshme, por edhe e pamoralshme.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)