Sport

Dortmundi përforcohet me turkun Ozcan

Borussia Dortmundi është përforcuar me mesfushorin turk, Salih Ozcan. Futbollisti i Përfaqësueses së Turqisë është prezantuar me fanellën e Dortmundit të hënën.

Ai në radhët e Dortmundit ka kaluar nga skuadra tjetër gjermane, Koelni. Ozcan ka nënshkruar kontratë me gjigantin gjerman deri në verën e vitit 2026.

“Koelni është klubi ku jam rritur, të cilit i detyrohem shumë. Dortmundi është një klub ku unë mund të luaj rregullisht në Ligën e Kampionëve dhe kjo më ka bindur që unë ta marr vendimin t’i bashkohem. Jam shumë i lumtur që mund të zhvillohem më shumë te Dortmundi para më shumë se 81 mijë shikuesve. Do të mundohem ta ndihmoj skuadrën në mënyrën time si në Bundesligë ashtu edhe në Ligën e Kampionëve. Unë jam shumë ambicioz dhe i gatshëm të jap gjithçka për klubin”, ka thënë Ozcan për faqen zyrtare të klubit të ri.

Edhe te Dortmundi janë të lumtur që kanë bindur Ozcanin t’i bashkohet projektit të tyre.