Borussia Dortmundi do të kalojë pushimin ndërkombëtar duke u shqetësuar për aftësimin e Erling Haalandit. Klubi gjerman njoftoi se pushimi i sulmuesit norvegjez mund të zgjatet deri në gjysmën e dytë të tetorit.
Haalandi nuk ka luajtur që nga 19 shtatori për një problem të paspecifikuar të muskujve dhe do të jetë jashtë ndeshjeve eliminatore të Norvegjisë për Kupën e Botës kundër Turqisë dhe Malit të Zi. Haalandi i uroi skuadrës fat në “Twitter” të hënën, përpara ndeshjeve të vështira. Ai uroi që Norvegjia të kualifikohet në “Botërorin 2022”, që do të ishte ngjarja e parë e madhe që nga viti 2000. Ambicie e Haalandit është paraqitja në një turne të madh me Norvegjinë.
“Në thelb të gjitha klubet kanë për detyrë t'i lirojnë lojtarët për detyra ndërkombëtare”, tha Sebastian Kehl, menaxheri administrativ i klubit të Dortmundit. “Sidoqoftë, Erlingu aktualisht është i dëmtuar dhe nuk ka qenë në gjendje të luajë për ne kohët e fundit dhe gjithashtu nuk mund të marrë pjesë në stërvitjen e ekipit në javët në vijim. Po shpresojmë që ai të mund të rikuperohet gjatë këtij pushimi të përfaqësueseve, ndonëse është shumë vështirë”.
Dortmundi kthehet në aksion më 16 tetor kundër Mainzit dhe “me shpresë” se Haalandi do të jetë mjaft i aftë për të luajtur, tha drejtori sportiv Michael Zorc. Ajo ndeshje mund të shohë rikthimin e sulmuesit Gio Reyna, i cili luan në ndeshjet e ardhshme për SHBA-në. Kthehet edhe mesfushori Mahmoud Dahoud. Nëse data e kthimit të Haalandit shtyhet, kjo mund të ndikojë në ndeshjen e Dortmundit në Ligën e Kampionëve kundër Ajaxit më 19 tetor.
Pak lojtarë i transformojnë ekipet e tyre aq shumë sa 21-vjeçari Haaland. Ai ka 11 gola dhe pesë asistime në shtatë ndeshje deri më tani këtë sezon, kurse kontribuon në më shumë gola në mënyrë indirekte duke tërhequr mbrojtësit dhe duke krijuar hapësirë për shokët e skuadrës. Me Haalandin në ekip këtë sezon, Dortmundi arrin mesatarisht gati tre gola në ndeshje. Në tri ndeshjet që ai ka munguar deri më tani shkaku i lëndimit, Dortmundi ka shënuar mesatarisht një gol.
Dortmundi ka qenë në këtë situatë edhe më parë. Një këputje e muskujve bëri që Haalandi t’i humbasë shtatë ndeshje në dhjetor të vitit të kaluar, që përkonte me një humbje 5:1 nga Stuttgarti që çoi në shkarkimin e Lucien Favres si trajner.
Nëse Dortmundi nuk mund t’i mposhtë ekipet në sulm, kjo bën më shumë presion mbi një mbrojtje të prirë ndaj gabimeve. Gjatë dy javëve të fundit, Dortmundi ka përballuar ndeshjet me vështirësi pa Haalandin. Humbja 1:0 ndaj rivalit Borussia Moenchengladbach ishte e hidhur për shkak të mungesës së shanseve, veçanërisht për trajnerin e Dortmundit, Marco Rose, që paraqitej kundër klubit të tij të vjetër. Dortmundi e kompensoi atë humbje me fitoren 1:0 ndaj Sportingut dhe fitoren 2:1 ndaj Augsburgut.
“Me Haalandin në fushë jemi ekip krejtësisht tjetër, ekip që krijon shumë raste dhe shënon gola. Kështu që ne do të punojmë shumë gjatë këtij pushimi dyjavësh për ta aftësuar atë që të jetë i gatshëm. Ky pushim ishte i mirëseardhur për ne”, ka pranuar trajneri Rose.
Ky pushim ka qenë i mirëseardhur edhe për disa prej lojtarëve të tjerë të Dortmundit. Qendërmbrojtësi Mats Hummels nuk është thirrur për Gjermaninë dhe tha se “tani ka pak kohë përsëri për të punuar dhe për ta përmirësuar edhe më shumë gjendjen e tij fizike në klub”.