Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Dorëzohet Rumania për ndeshjet me Kosovën: Sporti s’është politikë

Qeveria e Rumanisë i ka dhënë dritën e gjelbër kombëtares rumune të futbollit për zhvillim të ndeshjeve me Kosovën në kualifikimet për Kampionatin Evropian 2024.

Rumania nuk e njeh Kosovën si shtet. Pasi shorti vuri dy vendet përballë njëra-tjetrës në një grup, në Rumani nisën raportimet për refuzim të ballafaqimeve me Kosovën. Ishte vetë Federata e Futbollit të Rumanisë që i dha kahe politike ndeshjeve të futbollit.

Megjithatë, në një përgjigje për GSP, Ministria e Punëve të Jashtme e Rumanisë ka pranuar se “federatat sportive s’kanë karakter qeveritar”.

Kjo ministri ka thënë se tashmë është në kontakte me institucionet përgjegjëse që ndeshjet me Kosovën të zhvillohen në kushtet më të mira. Rumania e pret Kosovën më 12 shtator 2023.

“MPJ-ja do të veprojë sipas kompetencave të saj për të përkrahur pjesëmarrjen e kombëtares rumune nën kushte që nuk ndërhyjnë në qëndrimin kombëtar në lidhje me statutin e krahinës së Kosovës, qëndrim ky që mbetet i pandryshuar dhe në përputhje me rregullat organizative të garave”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së rumune.

Qeveria e Rumanisë po ashtu ka thënë se garat sportive nuk ndikojnë në çështjen e njohjes së shtetësisë së Kosovës.

Edhe Në Rumani nuk duan të përballen më me Kosovën Futboll Në Rumani nuk duan të përballen më me Kosovën

“Po ashtu duhet të kujtohet që parimi në të cilin udhëhiqen federatat ndërkombëtare sportive përfshin mosndërhyrjen e faktorëve politikë në aktivitetet sportive”, thuhet në deklaratën e MPJ-së së Rumanisë.