Ka bërë bujë kualifikimi i hendbollisteve të Kosovës U18 në Kampionatin Botëror që mbahet në Kinë gjatë muajit gusht. Kosova U18 kualifikimin në Botëror e arriti përmes rrugës dytësore, përkatësisht përmes garës IHF Trophy. Pasi e fitoi garën IHF Trophy për zonën evropiane, Kosova U18 javën e kaluar triumfoi në IHF Trophy Intercontinental dhe u kualifikua në Botëror.
IHF Trophy Intercontinental u mbajt në Tashkent të Uzbekistanit. Gara ka për synim zhvillimin e hendbollit, por ofroi edhe një biletë për Botërorin e të rejave.
Diona Dreshaj ishte prej hendbollisteve më të dalluara të Kosovës në Uzbekistan. Ajo në fakt është e regjistruar si Diona Dresh, por i takon familjes Dreshaj, me prejardhje nga Rugova. Diona është 18-vjeçare, luan në pozitën e bekut dhe të qendrës, ndërsa është e lindur në Norvegji, ku edhe jeton.
“Kualifikimi në Botëror ka qenë një ndjenjë e papërshkruar dhe me plot emocione. Jam ndier shumë e lumtur kur ndeshja ka mbaruar dhe kemi siguruar kualifikimin. Kualifikimi nuk ishte edhe i lehtë pasi është dashur të kalojmë dy raunde”, ka thënë Dreshaj në një bisedë për KOHËN.
Në Përfaqësuesen U18 është bërë një kombinim i hendbollisteve të klubeve të vendit dhe atyre që karrierën e zhvillojnë në vende evropiane. Kjo gjeneratë vlerësohet me potencial.
Dreshaj ka mbetur e befasuar me publicitetin e suksesit në Uzbeksitan.
“As në imagjinatë nuk e kam pasur që interesi do të jetë kaq i madh. Interesimin e dëshmojnë edhe urimet e shumta që kanë ardhur nga familjarët dhe urimet e menjëhershme nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, pastaj ylli i madh Rita Ora, Ambasada e Amerikës në Prishtinë e shumë e shumë të tjerë. Ju jemi mirënjohës të gjithëve”, ka shtuar hendbollistja e re.

Ajo ishte prej bartëseve të lojës së Kosovës në garën në Tashkent.
“Jam shumë e kënaqur me paraqitjen time në kampionat. Isha pak sëmurë para se të udhëtonim në Uzbekistan, por jam paraqitur mirë dhe jam shpallur dy herë lojtare e ndeshjes”, ka shtuar Diona Dreshaj, që tashmë i ka mbi 20 ndeshje me Kosovën U16 dhe U18. Ajo shpreson që në të ardhmen të jetë e rëndësishme edhe te Kosova A.
“Ideja për të luajtur për Kosovën ka ardhur kur jam kontaktuar nga Adrian Salihu, ish-lojtar i Kombëtares dhe tani trajner në një ekip të Norvegjisë. Pa hamendje dhe me shumë dëshirë kam pranuar të vijë. Tani i kam mbi 20 paraqitje me U16 dhe U18 të Kosovës”.
Diona ka nisur me hendboll në moshën 6-vjeçare. Nisi në qytetin e vogël në Norvegji, ku edhe jeton. Klubi i parë i saj ishte VHK, ndërsa e përmend trajneren Marine Lasgaard.
“Ajo ka merita të mëdha që jam këtu sot. Më pas së bashku me trajneren kemi kaluar në një klub më të madh, Oppegard IL, ku luaj edhe tani. Me skuadrën ishim në një turne të madh në Luksemburg, ku kishte ekipe të shumta. Jam shpallur qendra më e mirë dhe u zgjodha në ekipin e yjeve”, tregon Diona Dreshaj.
Ajo është pritur shumë mirë në Përfaqësuese. Thotë se është pritur si “motër që vjen nga kurbeti”.
“Unë jam e lindur në Norvegji. Babai im është nga Rugova, ndërsa në Kosovë jetojmë në Nabërgjan të Pejës. Babai im erdhi në Norvegji 35 vjet më parë”, ka thënë Diona.
Pse Dresh?
“Babai im më ka treguar që kur gjyshi e regjistroi, ishte një serb që i mori të dhënat. Dhe ai me qëllim e ka shkruar Dresh e jo Dreshaj si duhet të jetë”, thotë hendbollistja e talentuar.
Në Botërorin e të rejave në Kinë, Kosova do të jetë autsajdere. Secila fitore eventuale për Kosovën do të jetë sukses shumë i madh.
“Synimi në Botëror do të jetë që ta paraqesim Kosovën në mënyrën më të mirë në një vend të madh që ende nuk e njeh shtetin tonë. Shpresojmë në paraqitje të suksesshme dhe që flamuri i Kosovës të valëvitet sa më lart”, thotë Dreshaj.
Në sportet ekipore Kosova vetëm në hendboll është paraqitur deri më tani në Botëror. Bëhet fjalë për juniorët që garuan në Spanjë në vitin 2019, ndërsa ishin kualifikuar pikërisht përmes IHF Trophy. Rrjedhimisht kualifikimi i hendbollisteve të reja është vlerësuar historik për sportin kosovar.