Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Dhjetë muaj pasi luajti për Kosovën, Bislimi kthehet në Prishtinë si lojtar i Zvicrës

Uran Bislimi (23) ka pasur disa muaj plot zhvillime. Nëntorin e kaluar ai bëri debutimin ndërkombëtar për Kosovën në një miqësore ndaj Armenisë (2:2) dhe tri ditë më pas lojtari i Luganos madje shënoi golin e parë ndaj Ishujve Faroe (1:1).

Dhjetë muaj më vonë, bota e Bislimit duket krejt më ndryshe, shkruan gazeta e madhe zvicerane “20 Minuten”. Ai do të luajë sërish në stadiumin “Fadil Vokrri” të shtunën, por këtë herë për Zvicrën.

Në qershor, selektori i Zvicrës, Murat Yakin, bëri të ditur se Bislimi është sërish në dispozicion që të luajë për Zvicrën pas vetëm dy paraqitjeve miqësore me Kosovën. Në ndeshjen kualifikuese ndaj Rumanisë (2:2), lojtari nga Baseli më në fund e luajti ndeshjen e parë me ekipin nacional zviceran. Kështu ai më nuk e ka të drejtën e ndryshimit të përfaqësueses.

“Është ëndërr e fëmijërisë e bërë realitet”, deklaroi Bislimi.

Vendimi i tij për ta lënë Kosovën për Zvicrën, nuk është pranuar lehtë në Kosovë. Ka pasur reagime të shumta të zyrtarëve të përfaqësueses, por edhe të tifozëve. Për këtë temë ka folur edhe vetë mesfushori, pasi mori ftesën e parë nga Zvicra.

“Që nga ftesa e Zvicrës, nuk kishte vetëm reagime pozitive por edhe negative”, kishte deklaruar ai. Megjithatë, familja dhe të afërmit e kanë përkrahur në vendim.

Edhe Bislimi, lojtari i radhës që “ikën” nga Kosova Sport Bislimi, lojtari i radhës që “ikën” nga Kosova

Bislimi tani ka përkrahje edhe nga Federata zvicerane para ndeshjes kualifikuese në Prishtinë.

“Kemi folur me Uranin që ai të mund të përgatitet mirë për këtë ndeshje si çdo lojtar tjetër. Natyrisht është ndeshje e veçantë për të dhe për bashkëlojtarët e tij me rrënjë nga Kosova. Por kjo nuk e ndryshon faktin që fokusi është plotësisht në sfidën sportive”, thuhet në një përgjigje të Federatës zvicerane.

Bislimi nuk ka folur para ndeshjes me Kosovën. Nuk i është përgjigjur as një kërkese të KOHËS për intervistë. Mbetet të shihet nëse ai do të luajë në Prishtinë dhe cili do të jetë reagimi i tifozëve.