Sport

Bislimi, lojtari i radhës që “ikën” nga Kosova

Në vitin 2018 luajti për Zvicrën U19. Në vitin 2019 u ftua, por nuk luajti për Kosovën U21. Qëndroi në stol. Në shtator të vitit 2022 u ftua nga Kosova, por nuk iu përgjigj ftesës pozitivisht. Në nëntor 2022 u ftua sërish nga Kosova A dhe luajti në dy ndeshje miqësore. Shënoi një gol. Në mars u ftua sërish nga Kosova A, por refuzoi ftesën. Dhe tani po ushtron me Zvicrën.

Uran Bislimi, si shumë lojtarë të tjerë me rrënjë nga Kosova, ka pasur rrugëtim jo të zakonshëm sa i takon karrierës me përfaqësuese. Kosova nuk ka qenë asnjëherë opsion i tij i parë, ndërsa ëndërr e 23-vjeçarit gjithnjë ishte të luante për Zvicrën. Dhe ajo ëndërr po iu realizohet.

“Është ëndërr e fëmijërisë e bërë realitet”, ka thënë Uran Bislimi të dielën. Madje këtë e ka përsëritur disa herë gjatë intervistës së dhënë për “20min.ch”. Bislimi ka folur pas stërvitjes së parë me Zvicrën. Ai u ftua të premten pasi u konfirmua një mungesë në përfaqësuesen helvetike.

Se Zvicra është dëshira e madhe e Bislimit, nuk është diçka e re. Në shtator të vitit të kaluar, kur nuk iu përgjigj pozitivisht ftesës së Kosovës, ai kishte pranuar se ëndërron të luajë për Zvicrën. Por Zvicra nuk kishte interesim për Bislimin atëbotë dhe ai arsyetoi mosardhjen me dëshirën për t’u fokusuar në klub.

“Nuk ishte vendim kundër Kosovës, por për Luganon. Jam i lumtur dhe krenar për Përfaqësuesen e Kosovës. Megjithatë, prioriteti im për momentin është të përshtatem te Lugano sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të zhvillohem në një titullar të rregullt këtu. Të luash për Përfaqësuesen e Zvicrës është pa dyshim ëndrra e çdo futbollisti”, kishte thënë Bislimi më 22 shtator. Në shtator ndeshjet ishin zyrtare dhe me paraqitje për Kosovën, Bislimi do të humbte të drejtën e paraqitjes për Zvicrën.

Te Kosova nuk u dorëzuan dhe ftuan Bislimin edhe në miqësoret e luajtura në nëntor. Zvicra ende nuk ishte në horizont për këtë mesfushor, përkatësisht nuk e kishte në plan kosovarin. Bislimi erdhi dhe startoi te Kosova ndaj Armenisë dhe ndaj Ishujve Faroe. Ndaj Ishujve Faroe edhe shënoi gol. Bislimi natyrisht e dinte se me paraqitje në miqësore nuk e humbte të drejtën për të kaluar te Zvicra, nëse do të kishte interesim prej kësaj përfaqësueseje.

Në mars, në fillim të eliminatoreve për “Euro 2024”, Kosova e ftoi sërish. Bislimi po luante rregullisht për Luganon në Superligën e Zvicrës dhe vlerësohej i vlefshëm. Por ndeshjet e Kosovës ishin zyrtare dhe Bislimi nuk erdhi. Sipas FFK-së, ai konfirmoi ardhjen e më pas përmes klubit njoftoi se nuk vjen. Kjo revoltoi përgjegjësit e përfaqësueses së Kosovës. Madje selektori Alain Giresse theksoi se Bislimi ia ka mbyllur vetë dyert Kosovës.

Për ndeshjet e këtij muaji futbollisti nuk ishte as në listën e Kosovës e as në listën e Zvicrës. Por të premten, më në fund, u ftua nga Zvicra.

Kështu Bislimi bëhet lojtari i radhës që në një mënyrë ikën nga Kosova. Kosova vazhdon të mos jetë shumë atraktive për lojtarë që vlerësohen me potencial për të luajtur për përfaqësuese evropiane.

“Kur e pashë që në telefon është selektori Murat Yakin, isha pak i shokuar. Nuk e kam pritur ftesën. Është nder i madh dhe kënaqësi e madhe”, ka theksuar Bislimi.

Bislimi ka pranuar se jo të gjitha reagimet për zgjedhjen që ka bërë ishin pozitive. Por familja dhe të afërmit e kanë përkrahur maksimalisht. Dhe kjo ka rëndësi për të.

“Një ëndërr e fëmijërisë më është realizuar”, ka përsëritur Bislimi.

Nëse depërton te Zvicra, Bislimi do të ketë gjasa më të mëdha për t’u paraqitur në ngjarje si Evropiani e Botërori. Për karrierën e një futbollisti nuk është njëjtë si të luajë për Kosovën apo për Zvicrën. Paraqitja për Zvicrën ofron më shumë mundësi. Dhe kjo mund të ketë qenë vendimtare për futbollistin e lindur në Basel.

Bislimi ka kompletuar edicionin e parë në Superligën e Zvicrës. Ka luajtur 30 ndeshje për Luganon dhe ka shënuar dy gola. Me Luganon është paraqitur në finale të Kupës së Zvicrës.

Tifozët e Kosovës e kanë pritur rëndë edhe largimin e mbrojtësit Edvin Kurtulush për te Suedia. Kurtulush ishte kapiten i Kosovës U21 dhe është shquar me paraqitje. Kur pritej që ta bënte hapin para për te Kosova A, ai zgjodhi Suedinë. 23-vjeçari tashmë i ka bërë tri paraqitje për Suedinë. Ftohet rregullisht. Është ftuar edhe për ndeshjet e qershorit.

Më herët Ardian Ismajli kaloi nga Kosova U21 te Shqipëria A. Por ishte kalim “brenda familjes” dhe u prit më lehtë.

Dukshëm më tepër reagime kishte për Andi Zeqirin, që pritej të luante për Kosovën e në fund zgjodhi Zvicrën.

Mërgim Berisha ka refuzuar gjatë ardhjen te Kosova duke pritur Gjermaninë. Dhe në fund mori ftesë prej saj. Disa të tjerë, si Elvis Rexhbeçaj, Diant Ramaj, Amir Shaipi po ashtu po refuzojnë t’i përgjigjen ftesës së Kosovës.

Raste të tilla do të ketë edhe në të ardhmen. Lojtarë që do të shohin një rast për të luajtur për përfaqësuese evropiane mund ta shfrytëzojnë Kosovën për t’iu afruar qëllimit. Natyrisht, sa më e suksesshme që është Kosova, gjasat për t’i bindur lojtarët cilësorë do të jenë më të mëdha.