Hendbollistet e Kosovës nuk do t’i luajnë katër ndeshjet e mbetura të kualifikimeve për Evropianin e këtij viti.
Kështu ka vendosur të premten Komiteti Ekzekutiv i Federatës Evropiane të Hendbollit.
Kosova në javën e parë të qershorit është dashur të luaj dy ndeshje me Bjellorusinë dhe nga një me Gjermaninë dhe Slloveninë. Por EHF-ja duke parë gjendjen me koronavirus, ka anuluar ato ndeshje.
Në të vërtetë kualifikimet për “Euro 2020” kanë nisur në shtator. Kosova kishte humbur nga Sllovenia në udhëtim dhe nga Gjermania në shtëpi. Në mars është dashur të luhen dy ndeshje me Bjellorusinë, kurse në fund të majit me Gjermaninë në udhëtim dhe Slloveninë në shtëpi.
Pas paraqitjes së koronavirusit, EHF-ja vendosi që katër xhirot e mbetura të luhen në formë turneu në javën e parë të qershorit. Por të premten ka anuluar plotësisht katër xhirot e mbetura.
Nga grupi i Kosovës në Evropian do të kalojnë Gjermania dhe Sllovenia. Kualifikimi është vendosur në bazë të rangimit në Euro 2018.
Në Federatën e Hendbollit të Kosovës kanë vlerësuar se vendimi i EHF-së ishte i pritshëm. Sporti në gjithë Evropën është paralizuar për shkak të pandemisë.
“Është një vendim i pritur i EHF-së, duke parë gjendjen momentale. Shumë ngjarje po anulohen dhe kjo është pritur të ndodhë edhe me turneun tonë të paraparë për në qershor. Na vjen keq që nuk do të kemi ndeshje në qershor, sidomos ndaj Bjellorusisë, ndaj të cilës kemi pritur të kemi suksese. Por gjithsesi është një vendim i pritur dhe i arsyeshëm, marrë për bazë gjendjen momentale”, ka thënë për Koha.net, Izet Gjinovci, sekretar i përgjithshëm i FHK-së.
Hendbollistet e Kosovës kanë rritur nivelin në vitet e fundit. Për këtë arsye më nuk paraqiten në parakualifikime, por direkt në kualifikime të rregullta. Kualifikimi në Euro nuk është vlerësuar i mundshëm, por është pritur sukses ndaj Bjellorusisë.