Torino dhe Juventusi do të ballafaqohen në “Stadio Olimpico Grande Torino”, në derbin torinez. Kjo ndeshje i takon xhiros së 10-të të elitës së futbollit italian dhe nis në orën 18:00 të shtunën.
“Bianconerët” i kanë humbur dy ndeshjet e fundit dhe skuadra që drejtohet nga shumë i kritikuari, Massimiliano Allegri, duhet të reagojë.
Juventusi është në vendin e tetë me 13 pikë në nëntë ndeshje në Serie A. Një tjetër disfatë të shtunën, do të bënte që skuadra të largohej shumë në garën për titull kampioni.
Të drejtuarit e Ivan Juriqit arritën barazim me Empolin në ndeshjen e fundit, dhe do të mundohen ta përmirësojnë lojën kundër Juventusit.
Në ndeshjen e fundit në stadiumin e “Zonjës së vjetër”, skuadrat barazuan 1:1 në muajin shkurt.
Megjithatë, gjë për t’u shqetësuar për trajnerin Juriq është se skuadra e Torinos ka arritur vetëm dy fitore nga 12-të ndeshjet e fundit në shtëpi kundër Juventusit.
Mërgim Vojvoda te Torino është rikthyer në formën më të mirë fizike dhe është i gatshëm për të luajtur në këtë ballafaqim.
Juventusi ka telashe të mëdha me lëndime. Angel Di Maria u lëndua kundër Maccabi Haifas dhe do të mungojë deri në muajin nëntor. Paul Pogba dhe Federico Chiesa nuk po luajnë tash e një kohë të gjatë.
Në përgjithësi, Juventusi e ka humbur vetëm një nga 32 ballafaqimet e fundit kundër Torinos në Serie A. Ajo humbje ishte në prill të vitit 2015, 2:1.
Juventusi e ka nisjen më të dobët të kampionatit që prej edicionit 2015/16 kur kishte marrë vetëm 12 pikë në nëntë ndeshjet e para. Tani ka 13 pikë.
Kampioni në fuqi i Italisë, Milani, luan në udhëtim te Verona të dielën në orën 20:45.
Interi e pret në shtëpi Salernitanan në po të njëjtën ditë, nga ora 12:30.
Lideri aktual, Napoli, luan kundër Bolognas të dielën në orën 18:00, në stadiumin “Diego Armando Maradona”.