Dështimi i Llapit në ndeshjen me Ferizajn e ka “bartur” te Ballkani mundësinë e shkëputjes në tabelën e klasifikimit në IPKO Superligën e Kosovës në futboll. Ballkani ka rast të hënën (sot) që të dalë në vendin e parë, nëse ia del të marrë pikë në ndeshjen me Prishtinën.
Ndeshja Ballkani - Prishtina luhet në stadiumin e qytetit në Suharekë nga ora 14:30 dhe është derbi i xhiros së nëntë të kampionatit të Kosovës në futboll. Ballkani ka befasuar me rezultate të mira në fillim të edicionit dhe renditet i dyti me 17 pikë, shkruan sot “Koha Ditore”.
17 pikë i ka edhe Drita e vendit të parë, që ndeshjen e javës së nëntë e luan të martën në udhëtim ndaj Drenicës. Llapi të shtunën pësoi në Podujevë nga Ferizaj dhe ka dështuar të shkëputet. Ka rënë në vend të tretë, po ashtu me 17 pikë në konto.
Te Ballkani i Suharekës janë të vendosur të shfrytëzojnë mundësinë për të dalë në vend të parë, por te Prishtina kanë plane të tjera. Prishtina është e gjashta me 13 pikë, ndërsa ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Ballkani ka prezantuar një statistikë, sipas së cilës është klubi i vetëm që ka fituar të gjitha pikët e mundshme në ndeshjet si vendas, gjithsej nëntë. Për të vazhduar këtë seri, Ballkani ka kërkuar përkrahjen e shikuesve për derbin e xhiros ndaj Prishtinës.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)